Basha mesazh ngushëllimi për vdekjen e ish-deputetit të PD-së



Basha mesazh ngushëllimi për vdekjen e ish-deputetit të PD-së

08:36 21/12/2020

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka shprehur ngushëllimet për familjen e ish-deputetit Bedri Çollaku, i cili u nda një ditë më parë nga jeta. Kryeopozitari thotë se me vdekjen e Çollakut PD-ja ka humbur një prej ekspertëve dhe politikanëve seriozë e të rrallë.

“Mësova me hidhërim ndarjen nga jeta të Bedri Çollakut, ish-deputetit të Partisë Demokratike dhe ekspertit të njohur të sistemit bankar. Shpreh ngushëllimet më të ndjera bashkëshortes Virgjinushit, vajzës Genta dhe djalit Erionit. Në këtë ditë të vështirë të humbjes së bashkëshortit të dashur, babait të rrallë dhe të përkushtuar, jemi pranë tyre me mendimin dhe lutjet tona. Me vdekjen e tij miqtë kanë humbur një njeri të mirë dhe profesionist të shquar, Partia Demokratike ka humbur një prej ekspertëve dhe politikanëve seriozë dhe të rrallë. U prehtë në paqe”, thotë Basha.

Lajmin për ndarjen nga jeta të Çollakut e dha një ditë më parë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko. “Kjo është një ditë e trishtë për sistemin bankar të vend”, shkruante ndër të tjera Sejko.

“Me hidhërim të thellë u njoftova për largimin e parakohshëm nga jeta të z. Bedri Çollaku. Me një karrierë të spikatur e mbi 40-vjeçare në fushat e bankingut qendror e tregtar, z. Çollaku do të kujtohet si një ndër ekspertët që ka kontribuar në hedhjen e themeleve të mbikëqyrjes bankare shqiptare, sektor të cilin e drejtoi gjatë viteve të para të krijimit të tij, në fillim të viteve ‘90.Çollaku ishte drejtues i një ndër bankave tregtare të vendit. I nderuar me çmime të shumta për punën e tij si ekspert i sistemit bankar, interesat dhe përvoja e spikatur e z. Çollaku u pasqyruan edhe në rolin menaxherial që kreu me energji e ndershmëri deri në fund të jetës. I shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta familjes e miqve. Kjo është një ditë e trishtë për sistemin bankar të vend”, shkruante Sejko./tvklan.al







Të ngjashme