Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një intervistë në emisionin “Opinion” në Tv Klan me gazetarin Blendi Fevziu u pyet edhe për raportet me Presidentin Ilir Meta dhe lajmet që kanë qarkulluar në media se ky i fundit mund të lerë zyrën e Kreut të Shtetit për t’u bërë ministër apo kryeministër pas zgjedhjeve.

Po ashtu kreu i opozitës u shpreh se Meta ka justifikuar detyrën e tij të lartë dhe ka mbrojtur Kushtetutën.

A janë raportet tuaja me Lëvizjen Socialiste për Integrim solide apo rrezikon që LSI-ja në një moment të caktuar të largohet dhe të bashkëpunojë me PS-në?

Raportet me LSI janë solide dhe me të gjithë aleatët janë solide. Ne na bashkon në radhë të parë vetëdija që shqiptarët presin ndryshim dhe largimin e kësaj të keqe dhe së dyti detyrimin për t’u dhënë shqiptarëve një alternativë të besueshme për të dalë një orë e më parë nga kjo krizë.

Po raportet me presidentin Meta, ai bëri një deklaratë një javë më parë, në të cilin kërkonte për të lënë postin dhe të bëhet ministër i Brendshëm?

Jo nuk e ka bërë këtë deklaratë, s’e kam dëgjuar këtë deklaratë, di që ka diversione gjithmonë.

Nuk e keni dëgjuar, ka dalë në media?

Me presidentin kam komunikuar disa herë gjatë javës së kaluar…

Pra po thoni që është një fake news?

Kemi për shqetësime që kanë lidhje me shtetin e së drejtës. Dhe kemi një marrëdhënie jashtëzakonisht korrekte dhe vlerësoj që është institucioni i vetëm i pakapur nga kryeministri, i cili ka bërë detyrën e vet në mbrojtje të Kushtetutës dhe në mbrojtje të ligjeve.

Nëse forca juaj politike, jo forca, por koalicioni juaj politik fiton, do jetë Ilir Meta i rizgjedhur si President?

Në gjykimin tim është shumë herët që koalicioni të fillojë të flasë si do të ndajë pushtetet. Kush do marrë çfarë dhe postet që do marrin. Personalisht unë gjykoj se Ilir Meta këto vite, ndonëse ka qenë në President i dalë nga vota e Edi Ramës…

Dhe i kontestuar nga Partia Demokratike…

Pa pikë diskutimi pa mbështetjen e Partisë Demokratike dhe pa mbështetjen time personale, ka bërë një betejë për të mbrojtur Kushtetutën dhe të drejtat që burojnë nga Kushtetuta. Nga kjo pikëpamje ka justifikuar ka detyrën e lartë dhe pse e ka marrë nga kundërshtari politik./tvklan.al