Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është ndalur edhe në qytetin e Tepelenës këtë të shtunë. Ai është pritur nga qytetarë të ndryshëm, të cilët nuk zbatonin rregullat e pandemisë. Një pjesë e tyre kishin dalë me makina në hyrje të qytetit.

Kreu i opozitës tha para tyre se vota për numrin 9, është për të ndalur dështimin për herë të tretë, për të mbrojtur lumin Vjosa nga shkatërrimi, ndalimin e zbrazjes së fshatrave të Kurveleshit nga emigracioni dhe për statusin e minatorëve të Memaliajt. 

Ai u shpreh se ky status do të miratohet nga qeveria brenda 6 muajve pas zgjedhjeve të 25 Prillit.

“A do t’ia hapë Tepelena derën të keqes? 4 vite të tjera si këto që shkuan do të jenë shkatërrimtare për Shqipërinë, do të jenë fatale për Tepelenën, për Kurveleshin. Nuk është zgjidhja që të sjellim punëtorë nga Bangladeshi në Kurveleshin dhe Shqipërinë e zbrazur nga shqiptarët zgjidhja është të sjellim investimet në Tepelenë, në Kurvelesh, në Përmet, në Këlcyrë, në Memaliaj anë e mbanë Shqipërisë. Pra, ta mbajmë këtu rininë tonë të mrekullueshme. Ju drejtohem në veçanti ju ish-minatorë dhe minatorë në pension të zonës së Memaliaj, me të njëjtin mesazh që dhashë nga Bulqiza, me të njëjtin mesazh që dhashë nga Prrenjasi, brenda 6 muajve të parë statusi i minatorit, statusi i atyre që kanë kaluar jetën e tyre nën tokë, përfshirë afro 14 mijë pensionistë minatorë do të negociohet dhe do të miratohet nga qeveria e ndryshimit që do të votoni me 25 prill. Vëllezër dhe motra bashkë për ndryshim. Ky besim, ky entuziazëm, kjo shpresë nuk do ndalet deri në 25 prill. Ju ftoj minutë pas minute ta vazhdojmë këtë maratonë të shpresës”, tha Basha./tvklan.al