Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u shpreh këtë të martë se problemi i Rafinerisë së Ballshit është politik. Basha theksoi se për të gjithë zyrtarët që do të punojnë atje do të ketë kontroll të lartë qeveritar dhe parlamentar.

Sipas Bashës, përgjegjës në këto raste është vetëm qeveria dhe ai dha premtimin se naftëtarëve do t’u paguhen pagat e prapambetura. Këto para sipas kryeopozitarit do të rikuperohen nga ata që kanë vjedhur shtetin.

“Që këto të zeza mos të përsëriten më, kushti i të gjitha kushteve është që  ditët e ardhshme zyrtarët nuk do të kenë jo vetëm mbrojtje, por do të kalojnë në disa lupa. Ata do të ballafaqohen me kontrollin më të lartë qeveritar, parlamentar. Është kjo garanci që ju jap sot. Është ky zotim që më ka sjellë para kësaj porte. Dua që kur të vijë herën tjetër, t’ju shoh së pari më këtë garanci ë bërë realitet. Me zyrtare shqiptarë që do të jenë me vetting të pandërprerë politike dhe privat, pasi do të kenë në dorë një pasuri të madhe që vetëm është abuzuar. Përgjegjësinë e marr unë përsipër, me ndihmën e Alibeajt, apo të tjerëve. Por e marr unë përsipër përgjegjësinë. Nuk mund të thuhet edhe të fshihesh që është marrëdhënie privat privat siç është ai që erdhi para jush me premtime të mëdha, vetëm e përkeqësoi gjendjen tuaj. Përgjegjësi është dhe do të jetë gjithmonë qeveria. Përgjegjësi është dhe do të jetë gjithmonë kryeministri, pavarësisht se kush është investitori. Përgjegjësia qeveritare do të nisë me atë që ju kam thënë teksa dergjeshit në grevën e urisë. Shteti shqiptar do të marrë përsipër pagesën e pakryer nga konkraktori dhe do të përdorë të gjithë fuqinë e tij ligjore dhe shtetërore që këtë pagesë ta rikuperojë nga ata që kanë mbushur xhepat. Ato para ju do t’i merrni si detyrim i përgjegjësisë shtetërore ndaj jush. Por ky është premtimi im ndaj jush dhe premtimi im ndaj shqiptarëve është që asnjë para nuk do të paguhet nga taksat e parave të shqiptarëve”, tha Basha./tvklan.al