Kreu i demokratëve: Paga minimale 700 euro, qeveria i ka keqpaguar mësuesit

Nga njësia 11 në Tiranë, kryedemokrati Lulzim Basha shprehet se me Partinë Demokratike në qeveri, do të rritet ekonomia e vendit, pensionet dhe pagat për qytetarët.

Në takimet e zhvilluar me qytetarët në kryeqytet, Basha tha se realizimi i planit të punës së PD ka nevoje për votën e qytetarëve në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit që të largojnë qeverinë “Rama”.

“Ndryshim në ekonomi, ndryshim në arsim, ndryshim pagash, pensionesh, me shpresë dhe besim, ndryshim për rininë. Ndryshim për gjyshërit dhe gjyshet shqiptare. Është plotësisht i mundur sepse kemi besimin, planin, vizionin, vendosmërinë dhe përvojën për të filluar dhe për t’i bërë këto plane realitet ”, tha Basha

Basha u takua dhe me mësues në njësinë numër 11, nga ku premtoi rritje pagash me 60% , teksa tha se paga minimale e mësuesve do të jetë 700 euro. Kreu i demokatëve tha se në 8 vite të qeverisë socialiste mësuesit janë keqpaguar.

“Ne do të rrisim rrogat e mësuesve me 60%. Kjo do të thotë një pagë minimale prej 700 eurosh për mësuesin. I krahasueshëm me ato të rajonit”, u shpreh Basha.

Basha akuzoi qeverinë se rriti pagat e mësuesve në muajin janar për shkak se vendi po shkon drejt zgjedhjeve, por kjo rritje sipas tij është e pamjaftueshme.

Klan News