Basha nis fushatën për kreun e ri të PD në Berat




Basha nis fushatën për kreun e ri të PD në Berat

13:21 25/05/2021

“25 Prilli, masakër elektorale. Nuk ka asnjë lidhje me demokracinë”

Fushatën elektorale në garën për kreun e ri të demokratëve Lulzim Basha e nisi nga qarku i Beratit. Për të 25 Prilli ishte një masakër elektorale që nuk kishte aspak lidhje me demokracinë, ndaj dhe përpara anëtarësisë kërkoi vijimin e kauzës për ta çuar deri në fund betejën për ndryshim.

“Me përgjegjësinë më të madhe që na kanë ngarkuar shqiptarët përkundër të gjithë kushteve të betejës së 25 prillit, jam këtu t’ju kërkoj të vazhdojmë së bashku këtë përballje”.

Prioritet thotë se ka bashkimin e demokratëve nga kjo garë e brendshme në parti. Përpara demokratëve të Kuçovës foli për dredhi e diversion që sipas Bashës vijnë nga kampi kundërshtar.

“Se gjëja e parë që kundërshtari ynë nuk do, është që ne të vazhdojmë të bashkuar dhe së bashku rrugën që kemi nisur. Keni parë, s’ka as festë, as buzëqeshje. Ka vetëm dredhira dhe diversione. Ftesa për bashkëpunim për vija të kuqe, pse? Hajduti e di krimin që ka bërë. Dhe përmes diversioneve, apo akoma më keq ftesave për bashkëpunim pa vija të kuqe, mendon se do ta hedh dhe do ta kalojë lumin.”

Ndërsa zërave kritikë që e bëjnë përgjegjës për humbjen përgjigjen ia ktheu nga Ura Vajgurore.

“Kush mendon se beteja mbaroi me 25 Prill e ka gabim, kush mendon se do të na ulë në gjunjë e ka dy herë gabim. “

Në 13 qershor Lulzim Basha do t’i kërkojë për të tretën herë demokratëve që t’i besojnë drejtimin e Partisë Demokratike.

Tv Klan





Të ngjashme