Basha në Fier: Regjimi Rama-Doshi ka ndaluar përkohësisht ndryshimin



Basha në Fier: Regjimi Rama-Doshi ka ndaluar përkohësisht ndryshimin

11:32 14/05/2021

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është ndalur sot në Fier ku ka zhvilluar një takim me demokratët. Në takim kanë marrë pjesë të gjithë kandidatët për deputetë, por dhe anëtarë të PD që ishin angazhuar në zgjedhje në role të ndryshme.

Kreu i demokratëve ka folur për zgjedhjet e 25 Prillit, duke thënë se opozita e nisi për shqiptarët dhe do ta vijojnë për ta dhe për demokracinë e vendit. Por për Bashën 25 prilli u kthye në një ditë vjedhjesh

Ai ka hedhur akuza kundër Kryeministrit Edi Rama dhe Tom Doshit, si vjedhës të zgjedhjeve dhe shtoi se ata kanë ndaluar përkohësisht ndryshimin që e duan të gjithë shqiptarët, edhe socialistët.

Për herë të parë ndoshta në histori, demokrat e socialist janë të një mendje pavarësisht se njëra palë e thotë me zë të lartë, e tjetra me zë të ulët. Vullneti i qytetarëve më 25 Prill u tjetërsua. U tjetërsua përmes përdorimit masiv të makinerisë shtetërore në kundërshtim flagrant me ligjin, u tjetërsua përmes vjedhjes dhe përdorimit si në kohët e sigurimit të shtetit të dhënave personale të qytetarëve për t’i intimiduar ata.

U tjetërsua duke e nxjerr zbuluar atë që e di gjithë bota, e di gjithë Europa, e di Amerika, të cilët janë shprehur qartë për nevojën për ndryshim. Binomin Rama-Krim, regjimin Rama-Doshi i cili kësaj radhë ka lënë gjurmët e gishtave kudo. Jo vetëm në Shkodër, por kudo, nga Vermoshi në Konispol, edhe këtu në Fier. Se çfarë programi ofroi Tom Doshi fierakëve, këtë pres të ma shpjegojë zonja ose zotëria më i zgjuar i Fierit, qoftë socialist apo jo.

Sigurisht që nuk ka nevojë për shpjegim. Por ne sot nuk jemi këtu për të ulur kokën dhe për të thënë atë që e dinë të gjithë: që 25 Prilli ishte ditë e një masakre elektorale të nisur muaj më parë. Ne jemi këtu në radhë të parë për të pohuar se ne u futëm në këtë betejë me vetëdijen e  plotë se vetë në fushatën tonë, në shpirtrat tanë, në raportin tonë me qytetarët kishim zbritur në të  njëjtin nivel dhe ishim rritur në të njëjtin nivel morali si ata.

Për herë të parë që nga 91-shi pa asnjë pushtet, por me zemrat dhe mendjet e mbushura me  hallet dhe problemet e tyre që  nga naftëtarët e Ballshit tek  fermerët e Myzeqesë, që nga pensionistët e mjeruar në ekstrem tek të rinjtë në dëshpërim, që nga bizneset e vogla për të cilat Fieri mban rekordin e mbylljeve përditë tek largimi dhe emigracioni masiv për të cili Fieri është qarku i dytë që  është zbrazur më shumë pas Kukësit, por dhe me zgjidhje, jo pallavra, zgjidhje reale. Jo çfarë donin të dëgjonin të gjithë këta vëllezërit, motrat, prindërit, fëmijët tanë.

Por çfarë merrnim ne përsipër? Çfarë marrim ne përsipër? Sepse në fund të fundit këtë betejë ndryshe nga regjimi Rama-Doshi ne nuk e nisëm për veten tonë dhe për këtë provat i kemi dhënë të qarta. Kur ishte puna për  t’i dhënë shqiptarëve mundësinë e rrëzimit të regjimit në mënyrë të parakohshme ne dorëzuam edhe atë pushtet që kishim duke djegur mandatet jo për të tradhtuar besimin e atyre që kishin votuar demokratët siç na thonë sot disa si kofini pas të vjelit, por për t’u përballur siç u përballëm dhemb për dhemb.

Pra, kjo betejë nuk ishte për pushtetin tonë, e kam thënë prej  ditës së parë, e keni dëgjuar nga goja ime, e keni dëgjuar nga goja e përfaqësuesve tanë  politikë, e kandidatëve tanë në çdo takim fushate. Ndaj dhe moto dhe mesazhi kryesor i fushatës tonë ngërthente atë që do çdo shqiptar, çdo shqiptar pa përjashtim: Bashkë për ndryshim, Shqipëria Fiton! Sepse beteja ishte për shqiptarët, sepse beteja vazhdon të jetë për shqiptarët. Sepse sot më shumë se kurrë ata kanë nevojë të shpresojnë, të besojnë dhe të drejtohen e të udhëhiqen për t’i nxjerrë nga një hall i cili është edhe  më i madh se ai që kishim para 25 Prillit“, tha ndër të tjera Basha./tvklan.al







Të ngjashme