S’ka pajtim me kryebashkiakun e Tiranës

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u  paraqit në Gjykatën për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar lidhur me padinë e depozituar ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj, të cilin e akuzon për shpifje.

Burime për Tv Klan bëjnë me dije se kryebashkiaku i Tiranës  nuk është paraqitur vetë në gjykatë, duke u përfaqësuar me avokatin e tij.

Në seancën e parë që ka zgjatur për afro 60 minuta, mësohet se Basha ka refuzuar kërkesën për pajtim. Të njëjtën gjë ka bërë edhe përfaqësuesi ligjor i kryebashkiakut Veliaj, e për pasojë seanca e radhës u la nga togat e zeza për të vijuar në 24 Shtator.

Pas daljes nga gjykata, kryedemokrati nuk pranoi të flasë për mediat, por avokati i tij Indrit Sefa sqaroi arsyet e refuzimit të kërkesës për pajtim.

“Procesi gjyqësor ka të bëjë me kërkesën e zotit Basha në lidhje me kërkesën penale si viktimë akuzuese ndaj zotit Erion Veliaj në kuadër të kërkesave që kemi ngritur më përpara. U zhvillua seanca e parë, seanca e pajtimit,  ku zoti Basha erdhi vetë personalisht dhe deklaroi se nuk ka asnjë vullnet për t’u pajtuar me të akuzuarin Erion Veliaj”.

Lulzim Basha e paditi kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në Tetor të vitit të kaluar, pas deklaratave të këtij të fundit se gjatë periudhës së tërmetit, lideri I demokratëve në këmbim të mbylljes së protestës së Astirit ka përfituar katër vila.

Por këto deklarata të Veliajt kryedemokrati i cilësoi shpifje duke e paditur fillimisht në Gjykatën e Tiranës Për shkak të mungesës së juridiksionit, Gjykata e Lartë vendosi që të gjitha akuzat penale ndaj zyrtarëve të lartë duhet t’i shqyrtojë Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Tv Klan