Kryedemokrati Lulzim Basha ka zgjedhur që takimet elektorale këtë të premte t’i vijojë nga Kukësi. Kreu i opozitës u prit nga dhjetëra qytetarë kuksianë të cilët edhe pse në kundërshtim të rregullave të pandemisë dëgjuan Bashën teksa kërkonte votën për të sjellë ndryshimin në vend.

Basha premtoi se në Kukës do të rihapet universiteti dhe do të bëhet një prej inkubatorëve e Teknologjisë së Informacionit. Ai premtoi se kjo gjë do të realizohet në bashkëpunim me një prej universiteteve më të shquara në këtë fushë në Austri.

“Ju jap fjalën se një ndër Inkubatorët e Teknologjisë së Informacionit në bashkëpunim e universitetin më të shquar në këtë fushë në Austri do të hapet këtu në Kukës. Jo thjesht dhe vetëm në një qendër arsimim dhe kualifikimesh dhe investimesh gjermane, austriake, amerikane dhe të huaja për rininë e Kukësit, do ta kthejmë Kukësin në atë që ia ka dhënë Zoti  në krenarinë për ekonominë tonë”, tha Basha.

Më tej ai tha: 8 vite dështime, 8 vite diskriminim, 8 vite varfëri, mos harroni më 25 Prill asnjë votë për atë që poshtëroi Kukësin dhe kuksianët. Votat tuaja për PD-në.

Në fund Basha vendosi një buqetë me lule në nder të Havzi Nelës tek memoriali i tij./tvklan.al