I njëjti skenar me të njëjtë protagonistë edhe këtë të enjte në parlament.

Për më shumë se një orë Lulzim Basha bllokoi foltoren e Kuvendit duke mos lejuar asnjë diskutim veç çështjes së negociatave për Shqipërinë, për të cilën tha se ka ardhur edhe vendimi i Gjermanisë.

 “Edi Rama mbrëmë është informuar për fatin e negociatave dhe të integrimit të Shqipërisë. Ai ka ardhur sot të bëjë të paditurin, akoma më keq të fshehë të vërtetën, apo ta manipulojë atë. Mbrëmë, vetëm 24 orë pas samitit franko- gjerman dhe takimit Merkel Macron, kristian demokratët dhe kristian socialët gjermanë, aleatët partia jonë si motër dhe social demokratët gjermanë aleatët dhe partia simotër e PS kanë rakorduar qëndrimin e tyre sa i përket hapjes së negociatave me Shqipërinë. Edi Rama ka gënjyer. nuk i ka bërë detyrat, se Shqipëria nuk i ka plotësuar kushtet për hapjen e negociatave. Në këtë rezolutë që do të bëhet zyrtare javën e ardhshme të martën, për herë të parë Shqipërisë nuk i vendosen thjesht kushte, por edhe një proces kontrolli që demonstron pabesueshmërinë totale ndaj çdo raportimi që është bërë deri më sot nga Edi Rama apo nga hallka institucionale e blerë prej tij” .

Në mungesë të një replike nga kryeministri, përgjigjen ia dha Taulant Balla, i cili kishte një lexim krejt ndryshe nga ai i kreut të opozitës lidhur me qëndrimin e Gjermanisë.

 “Ka të bëjë me mënyrën sesi e lexon Babalja hapjen e negociatave dhe mikes kancelares Merkel. E vërteta e madhe është që Gjermani ka të njëjtin pozicion dhe qoftë CDU E CSU dhe Bundestagu gjerman dhe parti opozitare mbështesin tërësisht hapjen e negociatave dhe qeverisë gjermane është promotore e Shqipërisë në samitin e 28 Qershorit”.

Ndonëse vendimin e Berlinit e cilësoi një lajm të keq për shqiptarët, vetes u mundua t’i njihte jo pak merita në pozicionin e lobuesit në këtë proces. Kjo deklaratë që shkaktoi të qeshura në rradhët e maxhorancës u pasua me të tjera akuza nga Lulzim Basha.

“Vendimi mund të kishte qenë edhe shumë më i keq, po mos kishte qenë për insistimin tonë si opozitë. Shikoni si zgërdhihen, njëri prej atyre që zgërdhihet më shumë ka qenë në Gjermani para tre ditësh. Mbaheni mend këtë që po ju them, dhe ka porositur një Toyota Yaris, po ta kanë zbuluar Toyotën o zgërdhimtar, bashkë me 1.5 milionë euro të drogës brenda. Vazhdo qesh, do e shikosh çfarë do të tunden para hundës shumë shpejt”

.

Taulant Balla përgjigjen ia dha jashtë Kuvendit.

Përplasjet për negociatat u pasuan nga ato për emigrantët.

“Ky që largoi 500 mijë shqiptarë tani ja ka zënë rrota bishtin, ofron pazar të marrë 600 mijë sirianë. Kjo është fantazma që sillet në Europë, sillet vërdallë që Shqipëria të bëhet kazan i botës, muxhahedinët sillini në Shqipërië, ISIS-in silleni këtu”,

tha Basha

.

“Nuk ka asnjë plan, nuk ka asnjë negociate dhe Shqipëria do mbajë përgjegjësi për aq sa ka këllqet e veta për t’iu përgjigjur një solidariteti europian për këtë çështje”,

u shpreh Balla

.

Në mungesë të një seance normale dhe bllokimit të foltores nga kreu i opozitës edhe këtë të enjte projektligjet që ishin në rend të ditës kaluan për votim vetëm me votat e mazhorancës.

Tv Klan