“Kush është i lodhur nga beteja jonë, është skllav i Ramës”

Edi Ramën nuk e akuzon vetëm për krim elektoral në 25 Prill, por nga Lezha, Lulzim Basha shkoi edhe më tej kur tha se kryeministri po përdor çdo mënyrë për të përçarë demokratët.

“Ata po bëjnë çdo përpjekje të na ulin kokën, të na dëshpërojnë, të na përçajnë. Po bëjnë gjithçka të çoroditin opinion publik për ta shitur vjedhjen më të madhe të zgjedhjeve në histori, si një fitore të tyre dhe si një humbje të Partisë Demokratike dhe të opozitës. Jo, 25 Prilli është një humbje për Shqipërinë dhe shqiptarët”.

Përpara lezhjanëve foli për vijim të betejës me kundërshtarin, ndonëse kritikët e tij në parti e bëjnë përgjegjës për disfatën e tretë në zgjedhje përballë Edi Ramës.

“Kush është i lodhur nga kjo betejë ka hequr dorë nga Shqipëria, ka hequr dorë nga demokracia, është kthyer vetvetiu në një skllav të Edi Ramës, Tom Doshit, Arben Ndokës me shokë”.

Prej ditësh kundërshtarët e tij i kërkojnë të japë dorëheqjen, por Lulzim Basha u kujtoi se fokusi i punës së demokratëve duhet të jetë tek përballja me regjimin Rama-Doshi-Rakipi.

“Në shtëpinë tonë të madhe nuk ka të tepërt. Ndaj, le t’i dëgjojmë, le t’i mirëpresim të gjithë kritikat konstruktive. Ju e keni patur dhe shumë shpejt do ta keni përsëri të drejtën për të zgjedhur përfaqësuesit dhe drejtuesit tuaj me votë, por tani e gjithë vëmendja jonë duhet të jetë për t’ia bërë të qartë regjimit Rama-Doshi se për ne ditët e tyre janë të numëruara.”

Kur flet për betejë nuk përjashton asnjë mjet, duke paralajmëruar një opozitë të ashpër brenda dhe jashtë parlamentit, me nisjen e sesionit të ri në shtator.

“Ne nuk do të lëmë asnjë mjet pa përdorur, asnjë formë, asnjë mënyrë, asnjë  hapësirë pa çliruar energjinë e jashtëzakonshme dhe dëshirën e njerëzve për ndryshim”.

Sipas kreut të opozitës 25 Prilli është një masakër elektorale, ku krahas blerjes masive të votave edhe në këto zgjedhje pati përdorim të kontingjentit kriminal.

Tv Klan