“Kriza politike duhet zgjidhur një orë e më parë”

Teksa iu bashkua manifestimit në bulevardin Dëshmorët e Kombit, në një prononcim për gazetarët, Lulzim Basha falenderoi qytetarët që u iu bashkuan këtij tubimi të thirrur nga Presidenti Ilir Meta.

“Mesazhi im është një falënderim nga zemra për gjithë qytetarët që i janë përgjigjur thirrjes për të mbrojtur Kushtetutën dhe një citim i një prej baballarëve themelues të SHBA Thomas Jefferson: e vetmja garanci për ruajtjen e lirisë është mbrojtja e Kushtetutës dhe se liria dhunohet, kur Kushtetuta shkelet.”

Kreu i PD e vuri theksin tek zgjidhja e krizës politike, kur tha se “në Shqipëri kushtetutës i ka mbetur vetëm kapaku. Mendoj se kriza politike duhet zgjidhur një orë e më parë për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe se e vetmja zgjidhje janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare në një ditë me zgjedhjet legjitime vendore.”

Pyetjes përse nuk mban fjalim në protestë, zoti Basha iu përgjigj: “Kjo nuk është një protestë, është një tubim drejtuar gjithë qytetarëve shqiptarë në mbrojtje të Kushtetutës dhe unë këtu ndodhem si qytetar, si prind, si bir nëne e babai, si bashkëshort dhe si bashkëqytetar i juaji. Unë kam dalë bashkë me miq të nderuar, me zotin Mustafaj, me zotin Bisha dhe miq të tjerë për të dhënë mesazhin e qartë se ky është tubim qytetar. Thirrja u është drejtuar qytetarëve dhe ky është një bashkim qytetar“./tvklan.al