Mbrëmjen e kësaj të enjteje nga studio e “Opinion” në Tv Klan, kreu i PD Lulzim Basha i qëndron mendimit se kriza ekonomike dhe politike e vendit, mund të zgjidhet vetëm me largimin e qeverisë.

Përballë gazetarit Blendi Fevziu, Basha tha se Shqipëria duhet të ecë përpara dhe opozita si e vetmja alternativë duhet të japë kontributin e saj.

Sa i takon Reformës Zgjedhore, kryedemokrati Basha u shpreh se opozita do ta kryejë pjesën e saj dhe se 14 kushtet e tjera i takojnë mazhorancës për t’i çuar deri në fund.

“Ai (Rama) e ka shprehur fare qartë që nuk ka ndërmend që të largohet, kështu që gjithë energjia jonë është të bëjmë aleancën  më të madhe të bashkimit të shqiptarëve për t’i pamundësuar atë që ka bërë në 2017”, u shpreh ai duke iu referuar shit-blerjes së votave.

Por si do ta arrijë opozita këtë?

“Garancia ligjore do të ishte një qeveri tranzitore siç e kemi propozuar dhe pa diskutim që kjo është në tryezën e Reformës Zgjedhore dhe është një pikë e pandryshueshme. Pa këtë të tjerat nuk kanë ndonjë vlerë të madhe. Gjithë diskursi për Reformën Zgjedhore ka vetëm një vlerë: që opozita këtë pjesë që ka të vetën në këto 15 kushte, të tjerat janë të gjitha për Ramën, po e kryen dhe po e kryen në mirëbesim”.

Lideri i selisë blu deklaroi këtë mbrëmje se pikat që në Reformën Zgjedhore që do të jenë të panegociueshme, do të jetë çmontimi i mekanizmit që u sjell shqiptarëve në parlament kriminelë, siç i cilëson ai.

“Reforma Zgjedhore mund ta zgjidhte vetëm nëse ka një qeveri kreu i së cilës nuk është kreu i mekanizmit që shkatërroi zgjedhjet në Shqipëri, nëse ndodh kjo, kemi një garanci që rregullat e shkruara edhe mund të zbatohen. Nëse kjo nuk ndodh, Reforma Zgjedhore nuk prodhon dot rezultatin e kërkuar nga qytetarët, por është një nga 15 pikat e BE dhe në luajalitet më miqtë tanë në Bruksel dhe në Berlin po tregojmë vullnetin tonë që ato rregulla sa të mundet t’i përmirësojnë”. /tvklan.al