Demokratët nuk kanë ende një vendim për t’i dhënë fund bojkotit të Kuvendit, ndonëse apeli i ndërkombëtarëve ka qenë i qartë ditët e fundit për Lulzim Bashën, opozita duhet ta vijojë betejën e saj në institucione.

Vetë kreu i opozitës iu shmang interesit të gazetarëve, pas një takimi që pati me përfaqësues të Partisë Konservatore britanike, të cilët do të ofrojnë modelin e përzgjedhjes së kandidatëve të Partisë Demokratike në zgjedhje.

“Çështje tjetër, ne jemi këtu për të ndarë eksperiencat”.

Modeli britanik, sipas kreut të opozitës, synon seleksionimin e kandidaturave përpara se ato t’i dërgohen për vlerësim anëtarësisë. Përmes kësaj praktike, kreu i demokratëve thotë se synohet që Partia Demokratike të ndryshojë sistemin duke ofruar përvojën më të mirë europiane.

“Sot demokracia shqiptare ndodhet në një krizë të thellë. Qytetarët shqiptarë shohin se Parlamenti është mbushur me njerëz të cilët nuk i përfaqësojnë, është mbushur me persona të cilët nuk kanë asnjë lidhje, shpesheherë as me partitë politike të cilët i kanë kandiduar, e kam fjalën në veçanti për organizatën e “Rilindjes” në mesin e të cilës gjenden persona që kurrë nuk kanë qenë anëtar të PS, por janë përfaqësues të bandave të krimit të organizuar, janë biznesmenë me kredenciale të dyshimta.

Ky është problem shkatërrimtar për të sotmen dhe për të nesërmen e Shqipërisë. Dhe kjo duhet të dalet, kjo duhet të marrë fund. Që të marrë fund Partia Demokratike po kontribuon në dy drejtime, së pari përmes Dekriminalizimit. Së dyti përmes propozimit tonë përmes Vettingut të politikanëve, dhe së treti përmes vetë reformës së partive politike dhe reformës zgjedhore”.

Por kjo fazë parapërgatitore e huazimit të modelit britanik në përzgjedhjen e kandidatëve vjen në një kohë kur demokratët nuk kanë përmbyllur ende zgjedhjet e brendshme në parti, e kur reforma zgjedhore është bllokuar, ndonëse nga beteja elektorale me kundërshtarin në 30 Qershor e ndajnë vetëm 7 muaj.

Tv Klan