“Ndryshon skema e rimbursimit të barnave”

“Piperi ishte mirë domethënë…”

Kështu u përgjigj kreu i demokratëve Lulzim Basha i pyetur nga gazetarët për shigjetimet e kryeministrit Rama mbi videon e publikuar në rrjetet sociale. Por duke folur më pas me një grup pensionistësh, akuzat për qeverinë ishin të drejtpërdrejta.

“Shporta ushqimore është bërë 40% më e shtrenjtë. Pra, gjithçka, buka, vaji, sheqeri, ushqimet bazë janë rritur në mënyrë të ndjeshme, ndërkohë që pensionet janë rritur më pak sesa ç’është rritur inflacioni. Pse ka ndodhur kjo? Kjo qeveri taksat i ka rritur krahasuar me 8 vite më parë. Kjo qeveri ka marrë borxh shumë më shumë sesa qeverisja e para 8 viteve”.

Basha u angazhua se me të në qeveri, pensionet do të rriten sa dyfishi i normës së inflacionit.

“Angazhimi ynë është rritja e pensioneve me dyfishin e normës së inflacionit çdo vit. Dhe të paktën 5 përqind nëse inflacioni është më i ulët. Që do të thotë vit pas viti 650 mijë pensionistë shqiptarë do të përfitojnë rritje jo më pak se 5 përqind të pensioneve çdo vit”.

Një tjetër shqetësim i pensionistëve ishte rimbursimi i barnave për të cilën Basha tha se skema do të ndryshojë.

“Ne do të veprojmë me një parim që është parimi që ndiqet kudo në Europë, rimbursim sipas diagnozës. Sipas diagnozës do të thotë që atë ilaç që ke nevojë do ta marrësh, do të jetë në skemën e rimbursimit, një dhe e dyta, ai ilaç që do të marrësh do të jetë i kontrolluar”.

Basha tha se programi i Mirëqenies Sociale parashikon rritje të ndihmës ekonomike dhe mbështetje të familjeve të reja.

Tv Klan