Në një takim me strukturat drejtuese të degës së Partisë Demokratike në Shijak, kryedemokrati Lulzim Basha tha se beteja e nisur nga opozita për zgjedhjet e lira e të ndershme është një betejë për interesin e çdo qytetari shqiptar.

“Djegia e mandateve ktheu besimin e qytetarëve se kjo betejë nuk është një betejë si të tjerat, nuk është, siç përpiqet ta paraqesë Rama, një betejë mes partive politike. Jo! Kjo është betejë për t’i kthyer çdo shqiptari liritë, mundësinë, demokracinë. Kjo është një betejë në të cilën ne dorëzuam pushtet. Nuk shkuam për të marrë pushtet, por dorëzuam karriget, mandatet tona, imunitetin tonë, privilegjet tona për t’u rreshtuar krah për krah me qytetarët”, u shpreh Basha.

Duke folur për raportin paraprak të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 30 Qershorit, Lulzim Basha u shpreh: “Plaçkit buxhetin, plaçkit taksat, plaçkit prokurimet publike, koncesionet, PPP-të, tenderat, plaçkit bregdetin, pyjet, malet, minierat, naftën. Të gjitha janë plaçkitje dhe grabitje e hapur. Plaçkitje është Teatri Kombëtar, plaçkitje është Stadiumi Kombëtar, plaçkitje është Unaza e Re, plaçkitje është Milot-Balldreni, 10-fish i çmimit të një autostrade në Evropë, në popullin më të varfër të Evropës”.

Kreu i opozitës u shpreh se sfida e parë për Partinë Demokratike kur të vijë në pushtet, është lufta kundër monolopove dhe klientelizmit.

“Beteja jonë kundër oligarkisë, duke anulluar ligjet me emër oligarku, miratuar nga qeveria Rama dhe duke hetuar dhe anulluar çdo kontratë korruptive PPP-je, do të jenë masat e para që Partia Demokratike do të ndërmarrë që në ditët e para të qeverisjes. Programi pro punësim dhe pro-biznes i PD parashikon vendosjen e taksës së sheshtë prej 9%, rregullimin i politikave fiskale në favor të një plani pro-biznes që do t’i japë frymëmarrjen e nevojshme ekonomisë sonë”.

Sipas Bashës, Shqipëria sot është një shtet pa ligje ku “mbretëron” Kryeministri.

“Shqipëria sot është një vend pa ligj, pa rregulla, pa drejtësi. Në Shqipëri mbretëron një njeri i vetëm. Të gjitha pushtetet i ka Edi Rama. Ai kontrollon pasuritë dhe paratë e shqiptarëve. Në Shqipëri nuk udhëheq interesi i njerëzve, por sundon vullneti i Edi Ramës. Ne nuk do të bëjmë asnjë hap pas për të luftuar tiraninë dhe autokracinë. Ne nuk do të bëjmë asnjë hap pas për të rikthyer tregun e lirë dhe iniciativën e lirë në duart e shqiptarëve. Nuk do të bëjmë asnjë hap pas deri në largimin e Edi Ramës”. /tvklan.al