Një ditë pasi Kryeministri Rama deklaroi se, Reforma në Drejtësi do të kalojë në parlament, pas dështimit të negociatave me Lulzim Bashën, Kryetari i Partisë Demokratike mblodhi Grupin Parlamentar për t’u komunikuar qëndrimin që opozita do të ketë në parlament.

Frika për një rrjedhje të mundshme të votave e ka bërë Bashën të bëjë një paralajmërim radikal.

“Nëse ndodh që ndonjë Deputet i Partisë Demokratike do të trafikojë votën dhe do të votojë reformën, atëherë opozita do të kalojë në përballje totale deri në djegie mandatesh, derisa të zgjidhen institucionet e reja nga zgjedhjet e lira e të ndershme. “Ky do të ishte fund i parlamentarizmit”,

mësohet të ketë thënë ai në mbledhjen me dyer të mbyllura, duke u shprehur gjithashtu se opozita kërkon konsensus dhe se ai është i sigurt së asnjë deputet demokrat nuk do ta trafikojë votën e tij.

Deputeti Eduard Selami shprehu shqetësimin se mosvotimi i reformës do të çonte në përplasje të Partisë Demokratike me ndërkombëtarët, çka është hedhur poshtë si mundësi nga Basha.

Në mbledhje ka patur kritika të ashpra edhe ndaj Ambasadores së Bashkimit Europian, Romana Vlahutin.

Basha tha se deklarata e përfaqësues së lartë, Federica Mogerini ishte “shkruar në Tiranë”, duke nënkuptuar Ambasadoren Vlahutin.

Pas mbledhjes, ish – Kryeministri Berisha tha se opozita është pro variantit të ndërkombëtarëve, ndërsa kritikoi një përfaqësues ndërkombëtarë, për qëndrime të dyfishta.

“Më duhet të them se është mjerane kur një përfaqësues ndërkombëtar i thotë qeverisë së tij të kundërtën e asaj që ka thënë vetë. Por kjo botë është transparente”,

tha Berisha.

Pas deklaratës, Berisha sqaroi se ndërkombëtari që ai përmen është një ekspert, që është dhe në origjinë të propozimit të zgjidhjes, bazuar në vendet e rezervuara, i cili sipas tij, i raportoi qeverisë së tij se opozita nuk ka të drejtë.

Tv Klan