I ndodhur në Gjermani për të marrë pjesë në Kongresin Ekonomik të Unionit Kristiandemokrat e Kristiansocial, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se opozita ka mbështetjen e Berlinit në betejën për Shqipërinë Europiane.

“Me ndihmën e partnerëve gjermanë, me ndihmën e partnerëve europianë, ne do të mund ta tejkalojmë këtë krizë, do ta hapim rrugën e Europës. Ky është mesazhi që vjen nga Berlini, meqë më pyetët për mesazhin e Berlinit. Në këtë situatë nuk ka shanse që të hapen negociatat për Shqipërinë”.

I pyetur për qëndrimin e disa përfaqësuesve të CDU/CSU-së, të cilët  kanë kërkuar të priten përfundimet e prokurorisë për akuzat e blerjes së votave, Basha theksoi se këta deputetë  nuk përfaqësojnë qëndrimi zyrtar i Berlinit.

“Janë ata politikanë në Gjermani që mundohen të justifikojnë sjelljen e Edi Ramës. Qëndrimi zyrtar është i qartë dhe i prerë. Natyrisht ne e kemi dëgjuar thirrjen e tyre për dialog. Kërkesa e vetme, e cila ka gjetur mirëkuptim të plotë është përmbajtja e standardeve evropiane. Standardet evropiane, në këtë  rast, e parashtrojnë fare qartë rrugën e zgjidhjes së kësaj krize”.

Refuzimin për dialog pas 7 letrave publike të kryeministrit, Basha e komentoi si mungesë serioziteti të kreut të qeverisë për të ofruar zgjidhje.

“Rama ka humbur shansin të tregojë seriozitet me përkushtimin ndaj standardit europian. Si mund të pritet një zgjidhje përmes letrave, ndërkohë që nuk trajton problemet kryesore të krizës? zgjidhja politike që ne kemi parashtruar është rruga e vetme për të shmangur konfliktin civil”.

Gjatë qëndrimit në Berlini, Basha u takua me zv/kryekëshilltarin e Kancelares Merkel, Joakim Bertele dhe Komisionerin Europian per Buxhetin, Gunter Otinger, ku theksoi se tani është koha për të ndalur politikanët e korruptuar që për interesat e tyre po kërcënojnë perspektivën europiane dhe paqen e stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Tv Klan