Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ndodhet në Kosovë në një vizitë zyrtare me ftesë të kryeministrit Avdullah Hoti. Nga Prishtina, kreu i PD-së tha se është i kënaqur që ndodhet në kryeqytetin e Kosovës, të cilin e konsideron si shtëpinë e tij të dytë.

Basha vlerësoi, paketën e masave që ka marrë qeveria kosovare si në aspektin shëndetësor dhe atë ekonomik, ku shtoi se mënyra e zbatimit të saj do të jetë shembull edhe për Shqipërinë.

“Jam i inkurajuar nga paketa e masave që keni njoftuar qoftë nga aspekti shëndetësor edhe në aspektin social dhe ekonomik. Mënyra si do të zbatohet kjo paketë përbën një shembull për qeverinë në Shqipëri, edhe për ne edhe pse jemi në opozitë”, tha Basha.

Kreu i PD-së tregoi mbështetjen e plotë të PD-së për procesin e dialogut me Serbinë. Ai ripërsëriti se kur të bëhet kryeministër, vendimi i parë që do të bëjë është heqja e taksës në Rrugën e Kombit.

“Një ndër vendimet e para  të mia si kryeministër i zgjedhur në zgjedhjet e ardhshme do të jetë heqja e taksës dhe traut në rrugën e Kombit, një vendim i padrejtë që ndikon në ekonominë e Shqipërisë dhe Kosovës”, tha Basha.

Edhe Avdullah Hoti falenderoi kryetarin Basha për mbështetjen dhe rolin e tij për Kosovën. Sa i përket dialogut me Serbinë, Hoti përsëriti se çdo zgjidhje duhet të jetë derivat i njohjes së dy vendeve. Ai deklaroi se shumë shpejt do të vendoset një koordinator për dialogun që do të përfaqësojë vendin në samitin e Parisit të enjten.

Kryetari i PD-së më vonë u takua edhe me Presidentin Hashim Thaçi./tvklan.al