Lulzim Basha replikoi nga rrjetet sociale me Kryemistrin për shkresën që ky i fundit përmendi në Parlament lidhur me tentativën për privatizim të Teatrit Metropol, në kohën kur Basha ishte kryetar Bashkie.

“Kryehajduti kërkon skutave për shkresa të pavlera. Teatri i Metropolit eshte aty! Kinema 17 Nëntorin, Kinema Republikën, kinema Partizanin, kinema Ali Demin, i ka shkatërruar Rama dhe ka ndërtuar pallate”.

Ndërsa mungesën e opozitës në seancë plenare, teksa diskutohej amendimi i ligjit për teatrin, një ndër çështjet më të atakuara nga opozita,  Lulzim Basha e argumentoi nga Vlora në krah të aleatëve të tij, ku ra në sy mungesa e kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule.

“Naivëve që pyesin pse s’jemi në Kuvend u them se Teatri nuk është shkaku por pasoja e emergjencës kombëtare. Një parlament i mbushur me kriminel nuk është vendi për të kërkuar zgjidhje por vendi për të marrë fshesën dhe për ta pastruar”.

Vettingu në politikë është vija e kuqe për Edi Ramën, të cilin sërish e paralajmëroi se në mungesë të kartonave të mazhorancës për amendimin kushtetues të opozitës do ta bëjë me qytetarët.

“Nuk do ketë më asnjë ligj, asnjë reformë, asnjë negociatë pa zgjidhur largimin e politikanëve të lidhur me krimin, nëse kjo nuk ndodh, është detyra e qytetarëve që së bashku me ne t’i japin zgjidhjen e merituar kur vendi uzurpohet nga krimi”.

Basha foli për një bilanc lufte në Vlorë, qytet simbol sipas tij i lidhjeve të qeverisë me krimin e bandat.

“Krimi i organizuar në bashkëpunim me Edi Ramën, e ka shndërruar Vlorën në një zonë lufte për kontroll droge. Kryeministri është peng i krimit. Por Vlora nuk mund të rrijë peng i krimit. Fatura që paguajmë për të është tepër  e lartë, me jetë njerëzore, varfëri, papunësi. Zbatimi i ligjit i besohet një ministri të Brendshëm të bërë njësh me krimin, siç është Fatmir Xhafa. Këtij kolapsi, i shtohet dhe kolapsi në drejtësi

“.

Akuza lëshoi edhe në adresë të kryeprokurores Arta Marku, teksa kjo e fundit bëri një raportim të punës së institucionit të saj për vitin 2017. Basha e quajti një prokurore kukull dhe bashkëpunëtore të Kryeministrit, e cila sipas tij po legjitimon vjedhjen që po bëhet me ligjin për Teatrin Kombëtar.

Tv Klan