Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ndodhet në njësinë 5 në Tiranë këtë të martë, ku thotë se do të bisedojë me qytetarët për problematikat e tyre.

Përmes një video-mesazhi, kreu i opozitës shprehet se në dyqane dhe lokale ka shumë më pak njerëz se zakonisht, për shkak të pandemisë. Sipas Bashës, qeveria nuk është krah biznesit, por krah oligarkëve,

“Për fat të keq, qeveria,  në vend që të ishte në krah të biznesit, në krah të familjeve në nevojë, i ka braktisur dhe i ka lënë në mëshirë të fatit dhe paratë e taksave të tyre nuk kanë shkuar për t’i ndihmuar ata, por kanë shkuar përsëri për të ndihmuar një grusht njerëzish, një grusht oligarkësh. Kjo është arsyeja se pse kriza ekonomike në Shqipëri është më e thellë sesa në Kosovë, është më e thellë sesa në Maqedoninë e Veriut. Në qoftë se vazhdon kështu, do të thellohet edhe më shumë. Do të jetë kriza më e thellë në të gjithë Ballkanin. Këtë, natyrisht, nuk e dëshiron askush, nuk mund ta pranojmë as ne si opozitë”, tha Basha.

Basha thotë se ka mënyrën se si paratë të shkojnë tek njerëzit.

“T’i japim fund prokurorimeve korruptive, tenderave sekretë, koncesioneve që po përthithin të gjithë paratë e njerëzve, t’i kthejmë ato në pagesa direkte, në radhë të parë për konsumatorët, për familjet në nevojë, për njerëzit që kanë humbur vendet e punës, që kanë humbur xhiron e tyre. Së dyti, përfitime për çdo biznes. Statistikat e fundit tregojnë se më pak se gjysma e atyre që duhet të përfitonin nga VKM-të gjysmake të qeverisë, nuk i kanë marrë këto para akoma”, tha Basha.

Kreu i PD-së uroi të gjithë qytetarët për atë që e konsideroi si “ditë të para të çlirimit nga oraret kuturu”, ku shtoi që këto momente duhet t’i shërbejnë rimarrjes së shpresës, e ringritjes morale që do t’i paraprijnë ringritjes politike dhe ekonomike te vendit./tvklan.al