Opozita e Bashkuar ka prezantuar detyrat e qeverisë tranzitore që ajo propozon për organizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Dhjetë (10) ishin detyrat që do të ketë sipas demokratëve kjo qeveri, të cilat i paraqiti para medias dhe shoqërisë civile.

Platforma e opozitës parashikon goditjen ndaj çdo strukture politike dhe kriminale që përfshihen në shitblerjen e votës, ndalimin e presionit qeveritar mbi drejtësinë për t’i hapur rrugë hetimit të krimit dhe pushtetarëve për manipulimin e zgjedhjeve.

Basha tha se qeveria tranzitore nuk do të jetë një koalicion mes PS dhe PD. Ai theksoi se krijimi i saj kërkon uljen në negociata me Partinë Socialiste, por me kushtin që Rama të mos jetë Kryeministër.

“Më lejoni të jem i qartë se çfarë nuk do të jetë koalicion i madh mes opozitës dhe PS, do të jetë një qeveri provizore tranzitore me personalitete jashtë konfliktit të interesit që kërkon vullnet dhe mbështetje politike”.

Për Bashën, përmbushja e këtyre 10 detyrave nga qeveria tranzitore do të kërkojë disa muaj kohë duke mos saktësuar se sa do të jetë mandati.

Për kreun e PD-së, krijimi i një qeverie tranzitore dhe zbatimi i platformës do të mund të nxirrte vendin nga kolapsi institucional dhe ekonomik. Sipas Bashës, e vetmja mënyrë për t’u përballur me këtë qeveria është mosbindja civile. Sot Partia Demokratike do të bllokojë akset rrugore në 12 qarqe të vendit, duke u bërë thirrje qytetarëve t’i bashkohen aksionit të saj.

Tv Klan