Lulzim Basha ishte këtë të mërkurë në Vorë ku pati takime me biznesin e vogël dhe fermerët e zonës. Kreu i PD-së u ndal në dyqan mishi ku dëgjoi shqetësimet dhe vështirësitë ekonomike me të cilat duhet të përballet pronari i saj.

Por Basha ka deklaruar se taksat e banorëve të Vorës dhe jo vetëm kanë shkuar ditën e djeshme për kryeministrin Rama, Veliajn, Ahmetajn dhe pronarët e inceneratorëve të landfillit të Sharrës.

“Ditën e djeshme Edi Rama, Arben Ahmetaj, Erion Veliaj, bashkë me pronarët e inceneratorëve dhe landfillit të Sharrës bashkë me Bandën e Lushnjes dhe Klodian Mërtirin e famshëm i kanë paguar këtij të fundit dhe vetes së tyre plot gjysmë milionë euro nga taksat tuaja. Sot është festë për Klodian Mërtirin, për partnerë e tij të njohur botërisht në mediat shqiptare që vazhdojnë censurojnë çdo denoncim tonin për këtë aferë korruptive. Dje kanë marrë 500 mijë euro e kusur nga taksat e shqiptarëve”.

Sipas Bashës, qeveria nuk u ka dhënë qytetarëve as 10 euro për frymë gjatë periudhës së pandemisë. Kreu i opozitës nuk fajëson qeverinë për pandeminë, por thotë se ajo tregoi fytyrën e vërtetë të ekzekutivit tonë.

“Ramavirusi ka shkatërruar ekonominë me themel. Natyrisht nuk mund të bëj e faj asnjë qeveri, as këtë qeveri për pandeminë, por pandemia nxorri rrënjët e së keqes zbuluar para çdo shqiptari. Kjo që ka ndodhur këto 3 muaj, mungesa e ndihmës dhe braktisja e qytetarëve është fytyra e vërtetë  dhe dështimi i kësaj qeverie”, tha Basha./tvklan.al