I mbërritur në Tiranë për të analizuar situatën politike pas djegies së mandateve nga opozita, delegacioni shtatë anëtarësh i Parlamentit Europian zhvilloi  takime me dy liderët kryesorë në vend. Axhenda e të mërkurës u mbyll me takimin që eurodeputetët patën për më shumë se 1 orë në zyrën e Kryeministrit Rama.

Në fokus kanë qenë zhvillimet e fundit dhe ngërçi që ka krijuar largimi i opozitës nga Parlamenti, por edhe përmbushja e reformave nga qeveria në prag të vendimit të Qershorit për negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë. Europarlamentarët mësohet të kenë mbajtur të njëjtin qëndrim të shprehur edhe para mbërritjes në Tiranë për nevojën e një dialogu mes qeverisë dhe opozitës.

Më herët Lulzim Basha dhe krerët e partive aleate të opozitës u pritën nga eurodeputetët në zyrat e delegacionit të BE-së. Pas takimit Basha tha se formula që përmendin shpesh ndërkombëtarët nuk është me zgjidhje për Shqipërinë.

“Përqasja e stabilitetit me demokracinë ka dështuar, Rama është autokrat i korruptuar”.

I pyetur nëse opozita do të pranojë një ndërmjetësim të ndërkombëtarëve të ngjashëm me atë të vitit 2017, ku pas 3 muajsh qëndrimi në çadër opozita pranoi paketën Mecalister,  kreu demokrat përjashtoi një rrugë të tillë për daljen nga kriza.

“Nuk do ketë një tjetër 2017, Edi Rama e shkatërroi procesin zgjedhor. Rrugëdalja është zgjedhje të lira, largimi i Edi Ramës, qeveri e parakohshme”.

Basha bëri të ditur se pjesë e bisedës me eurodeputetët ishte propozimi i tij për krijimin e një qeverie të përkohshme.

“Pati interes sesi mund të funksionojë qeveria tranzitore që do t’i çlirojë duart e Prokurorisë për të futur në burg Dakon, Gjiknurin etj”.

Pas takimit me opozitën, delagacioni i Parlamentit priti në zyrat e BE-së edhe ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj ku po ashtu në fokus ishte situata e krijuar nga protestat e opozitës. Në dalje ministri i Brendshëm nuk pranoi të komentojë.

Delegacioni i Parlamemntit Europian do t’i bëjë të njohura konkluzionet e vizitës të enjten paradite pasi të ketë përfunduar edhe dy takimet e fundit, atë me kryeparlamentarin Gramoz Ruçi dhe anëtarë të shoqërisë civile.

Tv Klan