Në mënyrën më absolute nuk ka dhe nuk ka për të pasur qeverisje me Edi Ramën”. Kështu u shpreh Lulzim Basha këtë të premte në emisionin “Zonë e Lirë” në Televizionin Klan.

I bindur në fitoren e opozitës, Basha tha se ftesa e Kryeministrit Edi Rama për bashkëqeverisje, është pranim i humbjes nga ana e tij.

“Shifrat do të jenë thellësisht fituese për aleancën tonë, këtë e di çdokush, e dinë ata që bëjnë sondazhe dhe i di siç janë pa u paguar për t’u ndryshuar, e dimë ne e dinë gjithë shqiptarët, e di edhe Edi Rama. Si ka mundësi një muaj e gjysmë sharje e fyerje s’la gjë pa thënë dhe në fund fare tha hajde të bëjnë qeveri bashkë. Çfarë do të thotë kjo? Që edhe ai e di që më 25 Prill… kjo është të pranosh humbjen, tani e dinë dhe socialistët”.

I pyetur se çfarë do të bënte nëse nga zgjedhjet del humbës, Basha tha se ky opsion nuk ekziston.

“Ajo që do të ndodhë me 25 prill nuk është e partive, është e shqiptarëve, është e familjeve të tyre, për fëmijët e tyre prandaj është e pandalshme sepse Shqipëria me 25 prill Shqipëria do të vendosë për një jetë më të mirë për familjet, për fëmijët dhe për veten e tyre”, tha Basha mes të tjerash./tvklan.al