Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se Kryesia e PD ka miratuar mbrëmjen e së martës me votë unanime vendimin e grupit parlamentar të PD për djegien e mandateve në Kuvend, vendim i cili do t’i përcillet nesër për vendimmarrje finale Këshillit Kombëtar të PD.

I pyetur për deklaratën e ambasadës amerikane, e cila u bën thirrje deputetëve të refuzojnë djegien e mandateve, Basha tha  “

nuk komentoj kurrë asnjë deklaratë të përfaqësive të huaja në Tiranë, por dua t’ju a them fare qartë dhe shkoqur: për PD dhe për mua personalisht nuk ka frymëzim më të madh se SHBA dhe demokracia amerikane

”.

Kryedemokrati tha se mes galerisë së personaliteteve që kanë dhënë kaq shumë për demokracinë amerikane, veçon Presidentin Abraham Lincoln, një thënie të të cilit e citoi në anglisht:

“That these dead shall not have died in vain”.

Dhe për ta përkthyer tani thënien e Presidentit Lincoln: shpresoj që kjo sakrificë nuk do të shkojë kot,  se ky komb nën Zot do të ketë një lindje të re të demokracisë dhe se qeverisja e njerëzve, nga njerëzit dhe për njerëzit nuk do të zhduket nga faqja e dheut, nga faqja e Shqipërisë.

Basha tha se PD nuk po kërkon asgjë për të arritur qëllimin madhor të shembjes së qeverisë së krimit, por po jep.

Për të gjithë bashkëqytetarët e mi dhe bashkëkombësit kudo që na ndjekin, djegia e mandateve nuk është qëllim në vetvete, është rekursi i fundit që i është lënë opozitës për të arritur një qëllim madhor, që të shembim një qeveri të krimit, për krimin dhe nga krimi dhe t’u japim shqiptarëve një qeveri të njerëzve, për njerëzit dhe nga njerëzit. Për këtë ne nuk po kërkojmë të marrim diçka, por po japim.

/tvklan.al