PD nuk tërhiqet nga qëndrimi i saj

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, reagoi në rrjetet sociale pas deklaratës së Bashkisë së Tiranës që thoshte që nuk është rënë dakord me palën private për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar.

Basha thotë e konsideron deklaratën e bashkisë si gjysmake dhe që fsheh të vërtetën. Prandaj pa një vendim të qartë që teatri do të ruhet dhe nuk do të ndërtohen kullat, Basha thotë se PD-ja nuk do të tërhiqet nga qëndrimi dhe vendosmëria e saj në lidhje me këtë çështje.

“Rama dhe Veliaj nuk mund t’i hedhin hi syve shqiptarëve dhe të mbulojnë korrupsionin dhe prishjen e Teatrit me njoftime gjysmake që fshehin të vërtetën. Pa një vendim të qartë që kullat nuk do të ndërtohen dhe Teatri do të ruhet, PD nuk tërhiqet nga qëndrimi dhe vendosmëria e saj”, shkruan Basha në Twitter.

Bashkia e Tiranës do t’i kërkojë qeverisë shqiptare që ta mbështesë financiarisht për realizimin e këtij projekti ndërsa zotohet se do ta ndërtojë Teatrin e ri Kombëtar në një kohë më të shkurtër kalendarike dhe në përmbushje të të gjitha kërkesave teknike të shprehura nga komuniteti i artistëve në konsultimet publike./tvklan.al