Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka vijuar turin e takimeve të tij me biznesin dhe këtë herë është ndalur në Vlorë. Kreu i demokratëve thotë se qyteti bregdetar është gjunjëzuar si e gjithë Shqipëria për shkak të situatës së rëndë ekonomike.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Basha shprehet se ka takuar qytetarë të dëshpëruar nga pamundësia ekonomike dhe braktisja e qeverisë në periudhën e pandemisë.

“Edhe ata pak që kanë mundur të përfitojnë nga dëmshpërblimi, shumicën e kanë çuar për pagesa faturash. Shumë prej tyre ende s’kanë paguar as një pjesë të qirasë të grumbulluar prej 3 muajsh tashmë sepse nuk kanë xhiro, nuk kanë të ardhura. Konsumi ka rënë, pamundësia është rritur dhe njerëzit po këmbejnë orenditë shtëpiake për të siguruar bukën e përditshme. Biznese të mbyllura, hotele në krizë dhe qindra punëtorë të mbetur pa punë janë pasojat e neglizhencës dhe paaftësisë së Ramavirusi”, shkruan Basha.

Ai shprehet e qeveria nuk ka bërë asgjë për të ndihmuar sektorin e turizmit. Në këtë mënyrë qindra qytetarë që varen nga ky sektor kanë ngelur pa punë. Basha thotë se kudo ku shkon njerëzit kërkojnë ndryshim.

Vetë nuk premton mrekulli, por shprehet se do t’i japë qytetarëve një qeverisje normale pasi ka gati planin për nxjerrjen e Shqipërisë nga kriza.

“Unë dhe Partia Demokratike nuk u premtojmë mrekulli. Ne do t’u japim shqiptarëve një qeverisje normale, ku prioritet do të jetë hapja e vendeve të punës, rritja e pagave dhe pensioneve, lehtësira fiskale për biznesin dhe thithje e investimeve të huaja. Ne kemi gati planin dhe bashkë me qytetarët e Vlorës dhe gjithë Shqipërisë do t’ia dalim t’i rikthejmë njerëzve mundësinë për të punuar dhe për të ndërtuar një jetë më të mirë në vendin e tyre”, thotë Basha./tvklan.al