Kreu i PD-së takoi operatorët turistik në Tiranë

Në vijim të turit të takimeve me operatorët turistik, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, zhvilloi një bisedë me përfaqësuesit e këtij sektori që aktivitetin kryesor e zhvillojnë në Tiranë.

Ndërsa u njoh me shqetësimet dhe pasojat që ka lënë pandemia tek këta operator, kreu i opozitës akuzoi qeverinë se nuk ka asnjë strategji mbështetëse për këtë sektor, por premtoi se me ardhjen e PD në pushtet do të kthehet normaliteti në vend. 

“Ne nuk premtojmë mrekulli, por një qeverisje normale, që dëgjon, dialogon dhe bashkëpunon”.

Karantinimi i inspektorëve tatimor, rendi dhe siguria, taksa e sheshtë 9% dhe derregullimi i licencave, do jenë sipas Bashës shtyllat e platformës të PD për turizmin.

“Përmirësimi urgjent i klimës së biznesit duke ju hequr nga qafa inspektoriatet, taksidarët, burokracirat, lejet, autorizimet, ua kanë bërë jetën ferr sipërmarrjes. Thjeshtimi i menjëhershëm i sistemit fiskal, taksa të lehta, taksa të përballueshme për ju dhe transparenca për shpenzimet publike, duke i dhënë fund orgjisë së shpenzimeve shtetërore me tendera të shumëfishta”.

Kreu i PD shtoi se kriza e turizmit prek të paktën 200 mijë qytetarë të punësuar në këtë sektor. 

Tv Klan