Rama: Gjysmë-hap pozitiv. Meta përshëndet vendimin e opozitës

Hapje 100% të listave të kandidatëve për deputetë, por pa prekur koalicionet parazgjedhore. Është ky qëndrimi i opozitës së bashkuar pas një takimi që zgjati rreth 1 orë në selinë blu. Opozita e Bashkuar thotë se është kundër çdo ndryshimi të njëanshëm të Kushtetutës dhe se çdo vendim për zgjedhjet e ardhshme duhet të kalojë nga Këshilli Politik.

“Opozita e bashkuar ka mandatuar sot përfaqësuesit tanë në Këshillin Politik që sa i takon kësaj çështjeje të paraqesin qëndrimin e opozitës së bashkuar si vijon: Opozita e bashkuar do të mbështesë hapjen 100 përqind të listave, me kushtin që as koalicionet të mos ndryshohen, por të mbeten kështu siç janë sot dhe për pasojë edhe shpërndarja e mandateve të vazhdojë të përllogaritet siç është sot, me formulën aktuale të koalicioneve zgjedhore. Ky propozim do të parashtrohet sot në tryezën e Këshillit Politik”.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministrit Rama që thotë se ky është një gjysmë-hap pozitiv. Sipas Ramës koalicionet nuk preken, por debati për hapjen e plotw tw listave shkon pas votimit në Kuvend në 30 korrik.

“Pozitiv gjysmë hapi i LBPD për hapjen e listave, që është thelbi i risive kushtetuese! Si e sa do hapen nga jo më pak se 75% në 100% kjo i takon diskutimeve pas 30 korrikut! Deri në 30 korrik ka rëndësi hapja e sotme e LBPD për listat, çka vetëm votimi 30 korriku e garanton. Sa për koalicionet parazgjedhore ato nuk do të ndalohen, thjesht do të standartizohen si kudo në Europë, po edhe kjo do të shkruhet e votohet pas 30 korrikut,kështu që për sot i vetmi ndryshim është hapja e LBPD ndaj risisë kushtetuese që do të sjellim në 30 korrik! Mjaft pozitive!”

Në debatin për hapjen e listave është përfshirë edhe Presidenti Meta që e konsideron një akt të përgjegjshëm dhe historik propozimin e opozitës.

“Nuk e besoj që të jetë refuzuar një propozim i tillë si ky që ka bërë zoti Basha nga zoti Rama. Nuk e besoj të jetë një lajm i vërtetë, duhet të jetë fake news. Përshëndes këtë akt të përgjegjshëm dhe historik të kryetarit të PD-së dhe Opozitës së Bashkuar për të dhënë dakordësinë e tij për hapjen 100% të listave, të kandidatëve për deputetë për qytetarët shqiptarë në mënyrë që deputetët e ardhshëm të jenë pronë e qytetarëve të Shqipërisë dhe jo zara të kryetarëve të Partisë, që ngrenë kartonët duke dhunuar Kushtetutën, ligjin, interesin kombëtar dhe interesin publik”.

Në një dalje për mediat më herët Presidenti tha se nuk do të njohë ndryshime të njëanshme të Kushtetutës pasi rrezikojnë të ardhmen e vendit.

Tv Klan