Kryetari i opozitës Lulzim Basha foli nga selia blu duke bërë në këtë mënyrë dhe mbylljen e protestës së 8-të kombëtare. Basha pyeti qytetarët nëse janë gati ta çojnë betejën deri në fund.“A jeni gati ta çojmë këtë betejë deri në fund, të bëjmë gjithçka për orën e bekuar të lirës së re?

Orët e tiranisë po marrin fund, ora e demokracisë po troket dhe nuk ka forcë ta ndalë sepse forca më e pamposhtme është populli i bashkuar. Fjalët nuk e përkufizojnë dot këtë pjesëmarrje të parë këto 4 muaj. Shenjë e qartë e shumicës dërrmuese të shqiptarëve që janë të vendosur për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Zëri i sovranit nuk mund të injorohet.

Forca jonë është pjesëmarrja, qëndresa vendosmëria dhe forca juaj është e pandalshme, Rama Ik. Është forca juaj që zgjoi vetëdijen e strukur nga propaganda kriminale e regjimit autokratik të Edi Ramës. Zëri juaj e tregoi qartë se kurrë popullit shqiptar askush nuk mund ti verë çizmen despotike mbi qafë, e aq më pak kreu i bandës kriminale në pushtet, “Rama Ik”.  Është zëri juaj që kumboi nga Berlini, në Bruksel nga Londra në Washington.

Forca jonë, forca juaj sa vjen dhe shtohet siç shtohen radhët e protestave tona, siç bëhet çdo dot më i madh bashkimi ynë. Kulari nuk do të jetë më në qafën e shqiptarëve. E sotmja është një beteje deri në largimin e Ramës për zgjedhje të lira dhe të ndershme. E di zemërimin e zemrave që dhembin, nga fëmijët e pabuke dhe prindërit e papunë, nga qindra halle. Unë e di zemërimin tuaj ndaj do jem në krahun tuaj deri në fitoren e kësaj proteste.  Dua t’ju kërkoj sonte mirëkuptim tuaj që kjo natë e bekuar të mbesë me mesazhin se shumica jemi ne, jeni ju. Shqiptarët meritojnë dhe do kenë qeveri evropiane. Orët dhe ditët e ardhshme duhet të na gjejnë në këmbë, të fortë dhe të vendosur si asnjëherë më parë për të çuar këtë betejë në fitore.

Kreu i PD-së iu kërkoi socialistëve të marrin drejtimin e partisë së tyre.

“Përshëndes nga zemra, dhjetëra, qindra socialistë, vëllezër dhe motra që janë bashkuar me ne, që duan çlirimin e partisë së tyre nga krimi, u bëj thirrje njerëzve me përgjegjësi politike në PS: arrestoni krimin në kupolën tuaj, ndalni krimin në kupolën tuaj, merrni drejtimin e partisë, uluni në dialog pa Ramën kryeministër për një qeveri tranzitore, të garojmë e të vendosim së bashku standardin europian të zgjedhjeve. Nuk është vonë për ta shpëtuar PS-në nga krimi. Forcë që ta ndalë bashkimin popullor nuk ka dhe nuk do të ketë”. /tvklan.al