“Përballje me qytetarët nëse refuzon qeverinë kujdestare” 

Ndonëse është ulur në tryezën e Reformës Zgjedhore, opozita nuk ka ndërmend të heqë dorë nga kushti i saj i panegociueshëm për qeveri kujdestare dhe zgjedhje të parakohshme. I pyetur se çfarë do të bëjë Partia Demokratike nëse mazhoranca nuk do ta pranojë kërkesën e saj për qeveri teknike, Lulzim Basha thotë se do të ketë përballje me qytetarët.

“Nëse pala tjetër do të vazhdojë të përdorë në mënyrë të paligjshme pushtetin e paligjshëm, paratë e pista të krimit të organizuar, dhe të vendosë interesat e pushtetit të vet dhe të atyre me të cilët ka ardhur në pushtet, kriminelëve dhe oligarkëve, kundër interesave të shqiptarëve, atëherë opozita bashkë me qytetarët do të marrin vendimet që i takojnë një shoqërie europiane për t’u përballur me një grusht njerëzish që kanë marrë peng vendin.”

Deklaratën Basha e bëri pas një takimi që pati me ekspertët e Komisionit të Venecias, të cilët tha se i kishte njohur me krizën e thellë politike dhe kushtetuese që po kalon vendi, si pasojë e kapjes së shtetit dhe institucioneve të drejtësisë nga maxhoranca.

“Ilustrimi më i mirë i kësaj krize në javët e fundit janë lëvizjet e çoroditura të një pushteti që nuk pret as opinionin e Venecias, po ka çuar për miratim në një Kuvend ilegjitim masa të tjera që forcojnë kapjen e shtetit, kapjen e drejtësisë, kapjen e Gjykatës Kushtetuese. E gjitha kjo ka çuar vendin në kolaps total. Rruga e daljes është e qartë: Të kthehet legjitimiteti i institucioneve. Të kemi një parlament që, e ka të lidhur fatin me qytetarët. Një parlament dhe një qeveri që e ka fatin e lidhur me qytetarët, do t’iu shërbejë qytetarëve. Një parlament, një qeveri, një kryeministër që ka dalë, siç kemi dëgjuar nga dosjet “184” dhe “339”, nga bashkëpunimi me bandat dhe krimi i organizuar, është peng i tyre, do t’u shërbejë atyre, do t’i shërbejë oligarkisë.”

Pas takimit me përfaqësuesit e opozitës, ekspertët e Venecias u pritën edhe nga Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi Ardian Dvorani dhe anëtarët e këtij organi.

Delegacioni i Venecias është në Tiranë me kërkesë të shumicës, për shkeljen e pretenduar të Kushtetutës nga Presidenti, lidhur me zgjedhjen e Marsida Xheferllarit si anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Ai pati takime të enjten edhe me Presidentin Meta, kryetarin e Kuvendit, Ruçi dhe Komisionin e Posaçëm për shkarkimin e kreut të shtetit. Opinionin për këtë çështje së bashku me atë për Paketën Antishpifje, “Venecia” pritet ta japë në seancën e radhës, në 20 dhe 21 Mars.

Tv Klan