“I japim fund vjedhjes dhe shpërdorimit të parave të shqiptarëve”

Kombinati ishte ndalesa e radhës e kreut të opozitës Lulzim Basha gjatë turit të takimit me qytetarë e biznese. Shqetësimeve të banorëve të kësaj zone, një ndër më të prekurat nga tërmeti në Tiranë, Basha tha se pas 25 Prillit qeveria e tij do t’u japë zgjidhje konkrete.

“Unë ju garantoj që qeverisja e ardhshme do të ketë ekspertë që do të përshpejtojnë dhe do t’i japin fund procesit të zvarritur të të gjithë familjeve të dëmtuara nga tërmeti sipas kërkesave të tyre. Ne do të bëjmë procesin transparent, do ta përshpejtojmë. Ne do t’i japim fund kalvarit tuaj të vuajtjeve”.

Qeverinë e akuzoi se ka vjedhur paratë e rindërtimit, duke i çuar ato në xhepat e ministrave dhe oligarkëve.

“Rindërtimi është kthyer në një skemë abuzimi, vjedhje dhe shpërdorimi. Kjo është arsyeja kryesore dhe arsyeja e vetme pse njerëzit po vuajnë. Se këta edhe rindërtimin e kanë parë si një mundësi për të vjedhur njerëzit. Si një mundësi për të mbush xhepat e tyre”.

Edi Ramën e shigjetoi sërish, teksa tha se pasi mashtroi në 8 vite qeverisje shqiptarët, po bën premtime boshe në këmbim të një mandati të tretë qeverisës.

“Premtoi shëndetësi falas, po e shikoni, tani që erdhi pandemia i kanë dalë petët lakrorit. Premtoi legalizime falas, të njëjtën gjë premtoi edhe me tërmetin, të njëjtën gjë premtoi edhe me pandeminë edhe në kohën e pandemisë me tendera sekretë vodhi lekët e shqiptarëve në vend që t’ju jepte ndihmë. Kur vjen koha e zgjedhjeve hap thesin e premtimeve boshe”.

Ndryshe nga kundërshtari i tij politik, thotë se ka angazhime konkrete të hedhura në një plan, përmes të cilit synon rimëkëmbjen e ekonomisë.

“Me mua s’ka premtime. Këto janë angazhime, janë pjesë të një plani. Synimi ynë kryesor është të krijojmë 110 mijë vende pune të mirë-paguara të cilat pastaj, sigurisht, do të kenë ndikim edhe te konsumi”.

Dhe për ta vënë në zbatim këtë plan qytetarët i ftoi të votojnë ndryshimin.

Tv Klan