Lulzim Basha është ndalur këtë të dielë në qarkun e Kukësit ku ka bashkëbiseduar me strukturat në garën për kryetarin e Partisë Demokratike.

Në Kukës, Basha tha se beteja për rrëzimin e Kryeministrit Edi Rama vazhdon dhe 25 Prilli nuk ishte dita e fundit e kësaj beteje.

“25 Prilli nuk është dita e fundit e betejës që kemi nisur. Është ndalja e dhunshme e përkohshme e ndryshimit që shqiptarët e deshën më 25 Prill, që kuksianët e votuan më 25 Prill dhe që sot e duan akoma më shumë.

Por kush tjeter përveç nesh mund ta cojë në fund këtë betejë ? Kush tjetër përveç jush që ka mbajtur mbi supe këtë betejë dhe shenjat e kësaj beteje? E di që fuqinë për ta çuar deri në fund këtë betejë e për ta rrëzuar këtë regjim, e kemi vetëm ne, Partia Demokratike e Shqipërisë. Në vend që të na ulnin në gjumë, ne u rritëm u bëmë më të fortë. Në Kukës qartësisht po kështu edhe në Shqipëri”.

Ndërsa në takimin me demokratët e Hasit, Lulzim Basha mohoi bashkëpunimin me Edi Ramën.

“Ndaj dua të deklaroj qartë dhe prerë para jush sot meqenëse jemi në mesin e një agresioni ndaj Partisë Demokratike dhe propagande të shfrenuar. Është qëllimi im i prerë dhe synimi im final në drejtim të Partisë Demokratike, që jo vetëm të mos t’i shtrijë dorën dhe bashkëpunimit Edi Ramës por që së bashku menjëherë pas përfundimit të kësaj gare të nisim betejën për rrëzimin e regjimit të tij një orë e më parë”.

Kryetari në detyrë thotë se është vetë Edi Rama i cili nuk do që Lulzim Basha të jetë në krye të Partisë Demokratike.

“Ndaj Edi Rama e di këtë dhe nuk do që ne ta vazhdojmë këtë betejë, aq më pak nuk do që ta vazhdojmë bashkë. I kanë rënë përtokë katër pyka që na i kishte futur për të na përçarë deri më 25 Prill. Kishte investuar boll në ato 4 pyka. Ia thyet ju, ia thyen demokratët, ia thyen shqiptarët. Iu rrëzuan si këto kuti kartoni njëra pas tjetërs. Tani këtë garë të brendshme që na e dikton statuti dhe rregullat që ne sigurisht e vlerësojmë si një thesar të familjes tonë politike, përkundër asaj që na thonë jemi një parti e hapur, një parti e debatit, një parti e garës kërkon të na e kthejë kundër duke përdorur një disavantazh që është real, një disavantazhreal të cilin unë e kam paralajmëruar në Këshillin Kombëtar që ditën e parë që u mor vendimi për këtë garë. Dhe ky është disavantazhi apo rreziku që një garë e brendshme statutore mundet që përmes shpërfilljes së asaj që këmi ndërtuar bashkë, ekziston pra rreziku që dorëzimi para atyre që e konsiderojnë 25 Prillin fitore të Edi Ramës dhe jo siç e dini të gjithë ju masakër zgjedhore kundër Shqipërisë dhe kundër demokracisë të çojë në një përçarje në gjirin e demokratëve. Unë këtë nuk do ta lejoj e nuk do ta pranoj kurrë dhe ju bëj thirrje po kështu edhe ju të mos e lejoni e të mos e pranoni”. /tvklan.al