“Ora e Edi Ramës ka mbaruar”

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha përjashtoi edhe një herë çdo mundësi bashkëqeverisje me Edi Ramën, ndërsa komfirmoi koalicion me Lëvizjen Socialiste për Integrim.

Nga Kombinati në Tiranë, ku së bashku me kryetaren e LSI-së, vizituan disa familje të prekura nga tërmeti i vitit 2019, Basha theksoi se koalicioni opozitar do t’i fitojë zgjedhjet dhe do të qeverisë së bashku pas 25 Prillit.

“Edi Rama e ka kuptuar, e ka mësuar tani që më 25 Prill ai humb dhe Shqipëria fiton dhe tani po përpiqet të hapë një deriçkë dhe kërkon të bëhet pjesë e qeverisjes që do të formojmë pas zgjedhjeve të 25 Prillit. Koalicioni për ndryshim do të bëjë koalicion me Lëvizjen Socialiste për Integrim me qëllim për t’i dhënë vendit një qeverisje të ndryshimit, një qeverisje të shpresës, një qeverisje e cila do të hapë rrugën për Shqipërinë në Europë”.

Banorëve të Kombinatit që iu janë dëmtuar shtëpitë nga tërmeti, Basha u premtoi rivlerësim dhe të transparencë.

“Për ne rindërtimi do të kalojë në 3 faza. Vlerësimi i çdo ankese me transparencë, vlerësim real i dëmit, kompensim dhe rindërtim pa asnjë pengesë dhe duke eleminuar të gjitha proçedurat burokratike dhe korruptive”.

Duke i konsideruar zgjedhjet e 25 Prillit si më të rëndësishmet që nga koha e përmbysjes së diktaturës, Basha u kërkoi edhe banorëve të Tropojës votën për ndryshim.

Premtoi  se qeveria e tij do të jetë e të gjithë shqiptarëve, teksa ripërsëriti se e ardhmja e vendit varet nga vota massive e qytetarëve.

“Koha e premtimeve të pa mbajtura ka marrë fund. Koha e Edi Ramës ka mbaruar. Është koha për një qeveri e të gjithë shqiptarëve. Është koha për një qeveri shërbëtorë të tuajën. ora që po afron është më e rëndësishmja. Nuk ka shans të dytë”.

Thirrje për bashkim popullor e bëri edhe në Has.

“Duke qenë zgjedhjet më të rëndësishme që do të vendosin nëse do të ecim  përpara drejt Europës apo do të izolohemi përsëri, atëherë duhet dhe do të ketë pjesëmarrjen më masive në votime. Asnjë të mos mbetet  pa votuar”.

Banorëve të kësaj zone iu zotua se pas 25 Prillit një ndër vendimet që do të ndërrmarrë do të jetë edhe heqja e taksës për Rrugën e Kombit.

“Një fjalë e kam thënë dhe do ta mbaj në ditët e para të qeverisë, trau i Rrugës së Kombit do të hiqet. Ne që punuam me mish e me shpirt për ta bashkuar Hasin e ndarë padrejtësisht nga Tirana dhe Prishtina, të cilëve ju takon bashkërisht. Ne nuk do të lejojmë një ndarje të dytë”.

Ndërsa përpara kuksianëve, hapjen e aeroportit të ri e cilësoi një marifet elektoral që nuk i jep zgjidhje plagës së emigracionit në këtë qark, për të cilën fajësoi Kryeministrin Rama në dy mandate qeverisje.

“Asnjë marifet elektoral nuk e shëron dot këtë plagë. E vetmja gjë që e shëron këtë është ndryshimi, bashkë për ndryshim, votoni numrin 9”.

Të njëjtën thirrje kreu i demokratëve e vijoi edhe nga Puka ku u zotua për hapjen e negociatave me BE-në.

Tv Klan