Kryetari i Partisë Demokratike ka dënuar asfiksimin e nxënësve në gjimnazin e Shupenzës në Bulqizë dhe u ka uruar shërim të shpejtë atyre.

Në një postim në Facebook, Basha shkruan se pasiguria në shkolla nuk mund të bëhet pjesë e babëzisë qeveritare.

Kryedemokratik bëri me dije gjithashtu se në Dibër ndodhet edhe deputeti Xhemal Gjunkshi, për të qenë pranë nxënësve të asfiksuar.

“Po ndjek nga afer gjendjen e nxënësve të gjimnazit të Shupenzes, të asfiksuar në orën e mësimit nga gazi karbonik. Duke ju uruar shërim sa më të shpejtë të rinjve që po marrin mjekim në Bulqizë dhe Peshkopi si dhe për nxënësen e sjellë në Tiranë në gjendje më kritike se të tjerët, shpreh keqardhjen dhe revoltën për ​pasigurinë e ambienteve që vënë në rrezik shëndetin e nxënësve në shkolla. Investimet në shkolla nuk mund të bëhen pjesë e babëzisë qeveritare qëndrore apo lokale.

Deputeti i Partisë Demokratike, Xhemal Gjunkshi, ndodhet në Dibër për të qenë pranë nxënësve dhe familjarëve të tyre dhe për të marrë informacion të detajuar mbi përgjegjësit e asfiksimit të 60 nxënësve të Shupenzës”,

shkruan Basha në Facebook.

Paraditen e sotme rreth 60 nxënës të shkollës së mesme në Shupenzë u asfiksuan nga tymi i kaldajës për shkak të bllokimit të oxhakut.

/tvklan.al