Duke cituar raportet e Europolit dhe Departamentit Amerikan të Shtetit, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, akuzon qeverinë se e ka kthyer Shqipërinë në prodhuesin dhe furnizuesin kryesor të marijuanës në Europë. Në një intervistë për të përditshmen italiane “Il Fatto Quotidiano”, Basha ka sqaruar se çfarë kërkon opozita pas djegies së mandateve.

“Duam që politikanët e lidhur me krimin dhe narkotrafikun, si dhe ata që janë përfshirë në shitblerjen e votave, të vendosen përpara drejtësisë. Dhe kjo, sigurisht, që nuk mund të ndodhë sa kohë në krye të qeverisë të jetë Edi Rama, mbrojtësi dhe garanti kryesor i kësaj gjendjeje. Prandaj, kërkojmë dorëheqjen e tij”.

Basha i ktheu përgjigje deklaratës së Kryeministrit Rama sa nuk ka një revoltë popullore, por një revoltë të një opozite të dërguar në shtëpi.

“Këto janë deklarata propagandistike, tipike të liderëve autokratë, të cilët mendojnë se po flasin në emër të popullit dhe që çdo kritikë e klasifikojnë si një tentativë për t’u kthyer prapa, në të shkuarën. Në fakt, kemi të bëjmë me një pakënaqësi e mjerim masiv, i cili po mishërohet jo vetëm në protesta e revolta masive, por edhe në një fluks masiv emigrimi”.

Një shpjegim, kreu i demokratëve, e ka edhe për aleancën me LSI-në, ish-aleaten e qeverisë Rama.

“Pozicioni ynë është i qartë. Çdo qytetar, organizatë a formacion politik që ka si objektiv të vetin çlirimin e vendit nga droga dhe krimi i organizuar është i mirëpritur të bëhet pjesë e frontit të bashkuar opozitar”.

Basha u shpreh i bindur se në betejën për rrëzimin e pushtetit ka mbështetjen e shumicës së shqiptarëve.

Tv Klan