Basha: 25 Prilli, bashkim popullor, ora e Ramës ka mbaruar



Basha: 25 Prilli, bashkim popullor, ora e Ramës ka mbaruar

11:49 18/04/2021

“Heqim taksen e Rrugës së Kombit, i japim fund emigracionit masiv”

Zgjedhjet e 25 Prillit për Lulzim Bashën janë më të rëndësishmet që nga koha e përmbysjes së diktaturës. Ndaj dhe thirrjen për ndryshim ia ripërsëriti edhe banorëve të Tropojës, ku vijoi turin e takimeve elektorale.

“Ndaj nga ky shesh, le të ushtojë ky bashkim i madh për ndryshim”.

Premtoi  se qeveria e tij do të jetë e të gjithë shqiptarëve, teksa ripërsëriti se e ardhmja e vendit varet nga vota massive e qytetarëve.

“Koha e premtimeve të pa mbajtura ka marrë fund. Koha e Edi Ramës ka mbaruar. Është koha për një qeveri e të gjithë shqiptarëve. Është koha për një qeveri shërbëtorë të tuajën. ora që po afron është më e rëndësishmja. Nuk ka shans të dytë”.

Thirrje për bashkim popullor e bëri edhe në Has.

“Duke qenë zgjedhjet më të rëndësishme që do të vendosin nëse do të ecim  përpara drejt Europës apo do të izolohemi përsëri, atëherë duhet dhe do të ketë pjesëmarrjen më masive në votime. Asnjë të mos mbetet  pa votuar”.

Banorëve të kësaj zone iu zotua se pas 25 Prillit një ndër vendimet që do të ndërrmarrë do të jetë edhe heqja e taksës për Rrugën e Kombit.

“Një fjalë e kam thënë dhe do ta mbaj në ditët e para të qeverisë, trau i Rrugës së Kombit do të hiqet. Ne që punuam me mish e me shpirt për ta bashkuar Hasin e ndarë padrejtësisht nga Tirana dhe Prishtina, të cilëve ju takon bashkërisht. Ne nuk do të lejojmë një ndarje të dytë”.

Ndërsa përpara kuksianëve, hapjen e aeroportit të ri e cilësoi një marifet elektoral që nuk i jep zgjidhje plagës së emigracionit në këtë qark, për të cilën fajësoi Kryeministrin Rama në dy mandate qeverisje.

“Asnjë marifet elektoral nuk e shëron dot këtë plagë. E vetmja gjë që e shëron këtë është ndryshimi, bashkë për ndryshim, votoni numrin 9”.

Të njëjtën thirrje kreu i demokratëve e vijoi edhe nga Puka ku u zotua për hapjen e negociatave me BE-në.

“Bashkë e hapim derën e Europës, hapim negociatat brenda 100 ditëve të para”.

Në vijim të turit elektoral në veri të vendit, Basha u ndal edhe në Fushë-Arrëz e Vaun e Dejës.

Nga Vora kryedemokrati u zotua se përmes programit ekonomik të Partisë Demokratike, qeveria e tij do të nxjerrë ekonominë nga kriza dhe do të hapë vende pune.

Tv Klan







Të ngjashme