Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka përgënjeshtruar deklaratën e bërë nga zëdhënësja e Komisionit Europian, Maja Koçijançiç, sipas të cilës nuk ishte e vërtetë që EURALIUS dhe Delegacioni i BE-së janë përfshirë në gabime që supozohen të qëllimshme në përkthimin Anglisht të ligjit të Vetting -ut që i është dërguar Komisionit të Venecias.

Nga Brukseli, ku mori pjesë në një aktivitet të zhvilluar nga “Miqtë e Europës”, Basha tha se opozita e ka shpalosur të vërtetën me fakte se varianti në Anglisht, që është përdorur nga Komisioni i Venecias është ai i gabuari dhe se ka qenë Kryetari i Gjykatës Kushtetuese që ka pohuar se në Venecia është dërguar përkthimi i EURALIUS.

“E vërteta është ajo që ne e kemi shpalosur me fakte, e kemi treguar dhe dje. Zoti Bylykbashi e ka nxjerrë para opinionit publik. E vërteta është ajo që vetë Gjykata Kushtetuese ka konstatuar dhe që vetë Komisioni i Venecias ka pranuar. Përkthimi i përdorur nga Komisioni i Venecias ka qenë i gabuari dhe kjo është përtej çdo dyshimi”.

Ligji me gabime, sipas opozitës, tashmë është hequr nga faqja zyrtare e EURALIUS. Basha thotë se nuk është detyrë e opozitës të përcaktojë se cila është përgjegjësia e misionit EURALIUS në këtë çështje, por e institucioneve të Bashkimit Europian.

“Nuk është detyra jonë të përcaktojmë përgjegjësitë e EURALIUS apo institucioneve të tjera që financohen nga Bashkimi Europian në këtë çështje. Qëndrimet e tjera i takon vetë institucioneve të Bashkimit Europian që të përcaktojë se cila është përgjegjësia e EURALIUS dhe cilat janë hapat që do rimarrin në këtë drejtim. Kjo nuk është puna jonë”.

Partia Demokratike u kërkoi institucioneve të japin shpjegime se kush ka çuar në Komisionin e Venecias, edhe një variant të gabuar të Kushtetutës së përkthyer në Anglisht. Sipas opozitës, gabimet në përkthim janë bërë qëllimisht për të manipuluar opinionin e Komisionit të Venecias.

Duke gjykuar mbi një ligj me gabime thelbësore, thotë ajo, dhe duke e krahasuar atë me një Kushtetutë gjithashtu të përkthyer me gabime, opinioni i Venecias nuk do të mund të ishte i drejtë. Pas zbulimit të këtij fakti skandaloz, Gjykata Kushtetuese e përktheu edhe njëherë ligjin dhe e dërgoi në Komisionin e Venecias, i cili gjithsesi vendimin do ta japë në datën e përcaktuar përpara daljes në dritë të këtyre fakteve, më 9 Dhjetor.

Vendimin final nëse ligji e cënon apo jo Kushtetutën do të jepet nga Gjykata Kushtetuese pasi të përkthehet dhe shqyrtohet opinioni i Venecias.

Tv Klan