Basha: Përqëndrimi i pushtetit në një dorë do të marrë përgjigjen e duhur


Basha: Përqëndrimi i pushtetit në një dorë do të marrë përgjigjen e duhur

14:55 23/08/2020

Në ditën ndërkombëtare të viktimave të nazizmit dhe stalinizmit, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka bërë një thirrje për këdo që keqpërdor vullnetin e qytetarëve për të vendosur autoritarizmin.

Duke akuzuar qeverinë, Basha thotë se projekti për të përqëndruar në një dorë të gjitha pushtetet, do të marrë përgjigjen e merituar nga qytetarët.

23 Gushti është dita e kujtesës për viktimat e sistemeve totalitare, por dhe paralajmërim për të gjithë ata që keqpërdorin vullnetin e popullit në përpjekje për të rivendosur autoritarizmin. Kujtesa dhe respekti për mijëra viktimat e sistemit më të egër komunist në Europë duhet dhe do të jetë pjesë e rëndësishme e historisë moderne të Shqipërisë. Vuajtjet dhe mohimi i të drejtave themelore të shqiptarëve gjatë diktaturës, sakrificat e mijëra familjeve shqiptare në komunizëm janë udhërrëfyesi më i mirë për të vulosur, pas 30 vitesh tranzicion, sistemin e vlerave të demokracisë europiane. Projekti ogurzi i kthimit pas në epokën e pushtetit absolut, i kontrollit të gjithçkaje në vend nga një grusht pushtetarësh, të lidhur me një grusht oligarkësh dhe kriminelësh, projekti i rrënimit të lirive, demokracisë dhe ekonomisë, si dhe i zbrazjes së vendit, do të marrë përgjigjen e merituar nga qytetarët shqiptarë.

Partia Demokratike është në krah të të mbijetuarve dhe familjarëve të viktimave të diktaturës, në krah të rinisë, intelektualëve dhe shtresës së mesme, sipërmarrjes dhe fermerëve shqiptarë, e vendosur për ta shkatërruar projektin e rikthimit të shqiptarëve në një skllavëri kolektive në shërbim të një pakice. Historia e re e Europës është dëshmi e qartë e fundit pa lavdi të çdokujt që është përpjekur të sundojë me forcën e autoritarizmit. I tillë është fundi i këtij projekti, projektuesve dhe ndihmësve të tij. Shqipëria do të jetë si gjithë Europa, demokratike, e lirë, e zhvilluar ekonomikisht, me mundësi dhe shanse për të gjithë shqiptarët”, shkruan Lulzim Basha në Facebook. /tvklan.al



Të ngjashme