Vendimi i Gjykatës së Durrësit që nuk konfirmoi mandatin e kandidates së Partisë Socialiste Valbona Sako është përshëndetur nga kreu i opozitës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale Lulzim Basha thotë se u konfirmua farsa e 30 Qershorit, që për kryedemokratin ishte masakër e Kushtetutës, ligjit dhe standardeve.

Vendimi i togave të zeza të Durrësit, shprehet Basha, sjell shpresë se në Shqipëri ka gjyqtarë e gjyqtare që e kanë të shenjtë Kushtetutën dhe ligjin, se ka shërbyes civilë me kurajë dhe ndërgjegje që i shërbejnë shtetit të së drejtës dhe jo shtetit partiak.

Për kreun e opozitës farsa e 30 Qershorit është një grusht kriminal institucional i Edi Ramës, përmes të cilit ai thotë se kryeministri uzurpoi pushtetin vendor, KQZ-në dhe gjithë sistemin e administrimit të zgjedhjeve përfshi Kolegjin Zgjedhor.

Të gjithë ata që u bënë pjesë e këtij grushti kriminal institucional, të gjithë ata që i shërbyen Edi Ramës për të dhunuar Kushtetutën dhe ligjin me 30 Qershor, do të përgjigjen para drejtësisë për veprimet e tyre kriminale, mbyll postimin e tij Basha.

Tv Klan