Basha: Platformë kombëtare për krizën

Basha: Platformë kombëtare për krizën

20:43 05/09/2019

“ODIHR rrëzoi 30 Qershorin, s’kemi datë për protestat”

I thirrur në orët e vona takimi që Lulzim Basha zhvilloi me aleatët e partive opozitare nuk prodhoi një datë për protestat, ndonëse më herët kryedemokrati kishte paralajmëruar nisjen e tyre në vjeshtë.

“Kemi diskutuar për protestat, por opozita është më shumë, është alternativa e së nesërmes. Sapo të kemi datën për protestën do ta shpallim.”

Beteja e opozitës do të fokusohet më shumë sesa në sheshe me qytetarët, në hartimin e një platforme kombëtare për daljen e vendit nga kriza, pasi sikundër tha Lulzim Basha vetëm largimi i kryeministrit Edi Rama nuk mjafton.

“Jemi gati të ofrojmë edhe një propozim, apo platformë kombëtare për daljen e vendit, për hapat që duhet të hidhen për daljen e vendit nga kriza, sepse gjendja është kaq e rëndë dhe pasojat e kësaj gjendjeje janë kaq të tmerrshme mbi njerëzit, saqë largimi i Edi Ramës një orë e më parë nuk mjafton. Duhet të kemi hapa të vendosur transformues për vendin, ndryshime të thella politike, ndryshime të thella zgjedhore, reformë të thellë zgjedhore dhe ndryshime të thella sa i përket shtetit të së drejtës, ku t’i jepet fund pandëshkueshmërisë së politikanëve të lidhur me krimin dhe të mos varrosen ato çështje të rëndësishme ku është evidentuar qartë ajo që pamë edhe më 30 Qershor, siç është dosja 184, dosja 339, dhe të shkojnë para drejtësisë të gjithë ata që kanë cenuar vullnetin e shqiptarëve.”

Duke komentuar raportin e OSBE-ODIHR, Basha  tha se në 30 Qershor në një proces antikushtetues Kryeministri varrosi zgjedhjet, shtetin e së drejtës dhe demokracinë në vend.

 “Është një raport i një ngjarjeje kriminale dhe në një shtet normal do të përbënte bazë për nisjen e veprimeve penale ndaj një numri personash dhe një numri institucionesh. Ka treguar që në Shqipëri nuk ka shtet, nuk ka institucione që të bëjnë detyrën e tyre. Nuk janë rrëzuar vetëm KQZ-ja dhe e gjithë infrastruktura zgjedhore. Raporti tregon se këtu ka rënë shteti: ka rënë drejtësia, gjykatat, ka rënë dhe është shkelur çdo ligj, nga Kushtetuta deri tek rregulloret e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, se këtu janë përfshirë në shkelje dhe dhunim të ligjit nga që kryeministri, tek KQZ e deri tek numëruesi dhe vëzhguesi më i thjeshtë në fshatin më të largët.”

Basha tha se në Tetor nuk do të ketë hapje të negociatave me Bashkimin Europian, duke shtuar se ky është momenti ku secila palë duhet të marrë përgjegjësitë e veta.

Tv Klan

Të ngjashme
UKT