Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është përfshirë në debatin në rrjetet sociale mes Kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit Ilir Meta pasi ky i fundit publikoi një raport të vitit 2020 të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim për emigracionin.

Basha fajëson kreun e qeverisë për largimin, sipas tij, masiv 8 vitet e fundit.

“Edhe sot Rama u përpoq të fajësojë të tjerët për dështimet e tij. Largimi masiv i shqiptarëve është një nga dështimet më të mëdha të Ramës. Shqipëria po humb një brez të tërë prej largimeve masive të 8 viteve të fundit. Rama duhet të largohet që vendi të shpëtojë nga kjo katastrofë”, thotë Basha.

Sipas raportit të publikuar edhe nga Meta në Facebook, Shqipëria renditet e 4-ta në botë për emigracionin e personave me aftësi të larta në punë dhe e 8-ta në botë për normën e largimit të intelektualëve.

Kreu i shtetit e konsideron rekord të zi, largimin, sipas tij, të “ajkës” së shoqërisë në vend. Sipas tij, kjo tregon se nga Shqipëria po largohen edhe qytetarët që kanë një standard të mirë jetese.

Por i menjëhershëm ishte edhe reagimi i kryeministrit Edi Rama. Ai i konsideron deklaratat e tij propaganda dhe të pavërteta ndërsa deklaroi se në zgjedhjet e 25 Prillit ish-partia e Presidentit Meta, LSI, duhet të nxirret jashtë sistemit politik./tvklan.al