Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, u shpreh se kryeministri Edi Rama ul pritshmëritë për të justifikuar dështimet dhe mosmbajtjen e premtimeve.

Ai u shpreh se gjatë kohës së qeverisjes së PD-së Shqipëria hyri në NATO, iu liberalizuan vizat, dhe ndërtoi Rrugën e Kombit. Të gjitha investimet janë të mundura me vullnet politik.

Po ashtu, kreu i demokratëve shtoi se me vullnet dyfishohen pagat duke ulur taksat.

“Ulja e pritshmërive për të justifikuar dështimet e tua, mosmbajtjen e premtimeve dhe ngecjen e Shqipërisë në baltë për 8 vite është thika e fundit që Edi Rama  i fut Shqipërisë para largimit të tij me 25 Prill. Me uljen e pritshmërive vjen dhe vrasja e besimit. Pse zotëri para 10 vitesh hiqeshin vizat, futej Shqipëria në NATO? Pse para 10 vitesh kishim vepra më të mëdha infrastrukturore që ndërtohen dhe nuk kishim Prodhim të Brendshëm Bruto më të madh e as të ardhura më të mëdha? Pse u mbush me besim ekonomia shqiptare? Sepse ngriheshin pritshmëritë, thonim asgjë nuk është e pamundur për ne. Nuk ka më t’i biesh nga Maqedonia e Veriut për të shkuar në Kosovë se çahet mali, bëhet rruga. Po, dyfishohen pagat e mësuseve po të kesh vullnet politik edhe duke i ulur taksat madje. Gjëja e parë që duhet të bëjmë që duhet të shkojnë përtej planeve dhe që janë të zbatueshme është t’u themi shqiptarëve që kjo që kemi sot është më e keqja që kemi pasur ndonjëherë”, tha Basha. /tvklan.al