“Kapja e pushtetit vendor me dhunë nga bandat, hap fatal”

Gjatë një takimi me strukturat e Partisë Demokratike në Mallakastër, kryedemokrati Lulzim Basha tha se hyrja me dhunë në bashki nga kryebashkiakët e rinj, është e paligjshme dhe kriminale.

“Një nga gjërat e para që do të bëjë qeveria e re, e dalë me votë të lirë është që gjithsecili që ka shkelur ligjin dhe është kthyer në vegël të verbër të Edi Ramës, do të mbajë përgjegjësi ligjore. Asnjëri prej tyre nuk do të harrohet, që nga ky i Mallakastrës, deri tek Edi Rama. Mos harroni, duke nisur nga data 11 Qershor çdo qindarkë e taksave të shqiptarëve që është harxhuar për procesin kriminal dhe fals të 30 Qershorit, është dëm ekonomik. Për çdokënd që ka konsumuar veprën penale të shpërdorimit të detyrës, ligji është i qartë. Ju siguroj që me qeverisjen e re dhe Prokurorinë e çlirurar nga kapja, gjithsecili prej tyre do të marre atë që meriton para ligjit“, u shpreh Basha.

Kryetari i opozitës vlerësoi ish-kryebashkiakun e Mallakastrës, Agron Kapllanaj, për punën e mandatit 4-vjeçar dhe konfirmoi kandidatimin në zgjedhjet e tjera vendore.

“Agron Kapllanaj do të jetë kandidat për kryetar bashkie në zgjedhjet kushtetuese për pushtetin vendor dhe pa asnjë dyshim, edhe kryetar i ardhshëm i Bashkisë Mallakastër. Pseudokandidatura e Rilindjes që u refuzua bindshëm edhe nga vetë socialistët nuk mund të jetë kurrë kryetar i Bashkisë Mallakastër. Koha për të vendosur me votë kryetarin e vërtetë të bashkisë, sipas Kushtetutës shqiptare, sipas Kodit Zgjedhor nuk do të vonojë. Beteja jonë ka nisur me një qëllim, t’u rikthejë shqiptarëve të drejtën e dhunuar të votës së lirë. Kjo betejë ka për të përfunduar me një rezultat, largimin e Edi Ramës, zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe zgjedhje vendore në të njëjtën ditë.”- tha zoti Basha. Pa votë të lirë nuk ka demokraci, pa demokraci nuk ka zhvillim, nuk ka drejtësi, nuk ka punësim”, theksoi kreu i opozitës. /tvklan.al