Të martën mbahet takimi në Presidencë

Lulzim Basha i është përgjigjur pozitivisht ftesës së Presidentit Ilir Meta bërë kryetarëve të 9 partive opozitare që braktisën Kuvendin në Shkurt të 2019-s.

Burime pranë selisë blu konfirmojnë për Televizionin Klan se kryetari i Partisë Demokratike do të jetë në Presidencë në orën 09:00 të së martës, për të diskutuar me kreun e shtetit në lidhje me situatën politike, Reformën në Drejtësi dhe konstituimin e Gjykatës Kushtetuese.

Të kontaktuar nga Televizioni Klan edhe krerët e partive të tjera opozitare joparlamentare i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së Presidentit Ilir Meta, i cili kërkon që takimi të mbahet mundësisht përpara ditës së mërkurë.

Por në takim, kreu i shteti ka ftuar edhe Fondacionin e Shoqërisë së Hapur (Soros), si edhe Këshillin e Ambasadorëve Shqiptarë për t’i informuar për situatën e rëndë të funksionimit të shtetit ligjor që rrezikon sipas tij izolimin e vendit.

Të hënën kreu i shtetit ka paralajmëruar se do të depozitojë në prokurori kallëzimin penal ndaj Kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardjan Dvorani, të cilin e akuzon për dy vepra penale; atë të shpërdorimit të detyrës, si dhe përvetësim titulli apo detyrës shtetërore.

Gjatë konferencës për shtyp të së premtes, kreu i shtetit e cilësoi akt mafioz në kundërshti me ligjin procesin e përzgjedhjes për anëtarë në Gjykatën Kushtetuese nga ana e zotit Dvorani.

Tv Klan