Basha: Plan 5 pika për rimëkëmbjen


Basha: Plan 5 pika për rimëkëmbjen

11:31 29/09/2020

“312 mln Euro për 6 muajt e ardhshëm”

Në krah të ekipit që ka hartuar planin e rimëkëmbjes për përballimin e situatës së Covid-19 dhe krizës ekonomike, Lulzim Basha i listoi qeverisë pesë pika për të ndërhyrë pa vonese. Plani i demokratëve nis nga sistemi shëndetësor.

“Rritjen e testimeve në 2500 në ditë, jemi vendi me testimet më të ulëta. Rimbursim i plotë i marrjes së mjekimit, 600 Euro, bonus 1 mijë Euro për mjekët dhe 500 Euro per infermierët”.

Mbrojtja e nxënësve e mësuesve nga Covid dhe zhvillimi i një procësi mësimor me cilësi është pika e dytë.

“Testim periodik për mësuesit. Investim për teknologjinë e mësimit në distancë dhe tablet për fëmijët që vijnë nga familje në nevojë”.

Krahas pandemisë shëndetësore, Basha tha se vendi po përballet me një tjetër pandemi, atë ekonomike. Zgjidhja që sugjeroi si pikë të tretë, beson se i vjen në ndihmë çdo të papuni.

“Ata që kanë humbur vendin e punës t’u jepet çek 60 mijë lekësh të reja veç pagesës së papunësisë. Krijimi i një fondi punësimi kujtdo biznesi që merr në punë 20 mijë Lekë të reja për 6 muaj. Dyfishim të ndihmës ekonomike për 6 muajt e ardhshëm”.

Biznesi i vogël sipas Partisë Demokratike rezulton më i prekuri nga efektet e krizës ekonomike dhe ndihma ndaj tij është pika tjetër e planit.

“Çek prej 1 mijë Eurosh për çdo biznes të vogël”.

Në fund, për biznesin e madh dhe atë prodhues kryedemokrati listoi një sërë masash.

“Biznesi i vogël dhe ai i madh subvencion qirasë ose heqjen e taksës së pronës. Caktim i tavanit 2% i normës së interesit”.

Por sa është fatura që i duhet buxhetit të shtetit të përballojë këtë paketë dhe ku mund të gjenden paratë?

“Masat që ne propozojmë për 6 muajt e ardhshëm përllogariten në 52 milonë Euro në muaj. Pra, efekti total është afro 312 milionë Euro për 6 muajt e ardhshëm, duke nisur nga Tetori. Kjo përbën 2.45 të prodhimit të brendshëm”.

Basha tha se javët e ardhshme selia blu do të bëjë transparencë edhe lidhur me fondet për programin e rindërtimit që sipas tij do të faktojnë korrupsionin dhe propagandën e qeverisë me paratë që duhet të shkonin për ndërtimin e objekteve të prishura nga tërmeti i 26 Nëntorit.

Tv Klan



Të ngjashme