Kreu i PD në Vlorë për shqetësimet e biznesit të turizmit

Situata e krijuar për shkak të pandemisë së Covid-19 sipas kreut të opozitës, Lulzim Basha po çon drejt falimentimit turizmin në Vlorë.

“Hotelet janë 100% në ditën e tyre më të zezë”.

Gjatë një takimi me operatorë turistik në qytetin bregdetar, Basha akuzoi qeverinë se ka braktisur biznesin duke i çuar taksat e shqiptarëve në xhepat e klientëve të kryeministrit.

“Është pak shejtanllëk ajo që thotë “paga e luftës”. Ai e di fare mirë që dëmi është më i madh se 240 mijë lekë për punonjës, është më i madh se 400 mijë lekëshi. Dakord, nuk e shpërblen dot 100%, nuk e lan dot 100%, po të paktën duhet të lash një pjesë të mjaftueshme të dëmit. Brenda mundësive. Sepse për të gjithë shqiptarët, sot që flasim, ka paguar nga thesari aq sa ka paguar gjatë kohës së pandemisë për 5 apo 6 veta”.

Akuzat i vijoi edhe në lidhje me aksionin e nisur nga IKMT në zonën e Velipojës.

 “Shqipëria është i vetmi vend në botë ku kryeministri e fillon sezonin turistik me matrapik, me prishje.”

Pas ardhjes së demokratëve në pushtet, Basha premtoi se në themel të programit të qeverisë së djathtë do të jetë konkurrenca e lirë.

“Një gjë ju garantoj: nuk ka për të pasur njerëz të privilegjuar se po s’hapëm konkurrencën, po nuk garantuam barazi mes aktorëve në treg, kjo vetëm ekonomi tregu nuk quhet. Të mos të ketë më 4-5 të preferuar dhe të gjithë të tjerët të ulin kokën para tyre.”

Edhe gjatë takimeve që pati me biznesin e vogël, përfaqësues të kësaj sipërmarrje u shprehën për rënie të konsumit, mos përballimin e taksave, dhe mungesë të ndihmës nga ana e qeverisë.

Tv Klan