Kreu demokrat: Nuk do kërkoj mandat të dytë nëse nuk realizoj premtimet

Kryedemokrati Lulzim Basha u ka paraqitur bizneseve në njësinë nr.4 në Tiranë, planin për rimëkëmbjen ekonomike të vendit. Gjatë takimeve në terren, Basha premtoi paketë rimbursimi për covid-19 edhe për bizneset.

“Ne po bëjmë gati një plan që të gjithë ata që kanë kalu Covidin dhe që janë detyruar të zhyten në borxhe të kenë ndihmë. Gjëja e parë që do të bëhet është që biznesi i vogël do të ketë një paketë mbështetëse anti-covid. Atë që i kemi kërkur ta bëjnë dhe nuk e bënë, do ta bëjmë ne realitet.”

Ndërsa dëgjoi shqetësimet e qytetarëve dhe përfaqësuesve të bizneseve, Basha tha se taksa për bizneset që kanë xhiro nën 14 milionë të reja do të jetë 0.5%.

“Me paketën tjetër do të bëjme të mundur që taksat e pronës, shkollës, tabelës, çka vendos pushteti vendor të kenë një tavan. Mos të kalojnë mbi 0.5% të xhiros vjetore. Kush kalon 0.5 % të xhiros vjetore nuk do të quhet, nuk do ti pranohet pushtetit vendor ti marrë biznesit të vogël tarifa të çfardo lloji apo taksa që shpikin siç është kjo e shkollës.”

Kreu demokrat  deklaroi se nuk do të kërkonte një mandat të dytë nëse nuk do i mbajë premtimet ndaj qytetarëve.

Klan News