Kreu i PD takim me mjekët: Shqipëria e treta per numrin e viktimave

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha thotë se Shqipëria renditet e treta në botë për numrin e viktimave nga koronavirusi.

Në takimin me mjekë dhe ekspertë të shëndetësisë, kryedemokrati fajësoi qeverinë “Rama” për keqmenaxhim të situatës së krijuar nga pandemia, teksa tha se kryeministri nuk e meritonte të merrte vaksinën anti-COVID.

“Për numrin e vdekjeve të qytetarëve na rendit të tretëve në botë dhe kjo është statistikë zyrtare e shtetit të Edi Ramës, e Institutit të statistikave të kontrolluara nga ai. Vetë e bëri vaksinën me pretekstin se po e provonte i pari. Sot do të kishim një mjek më shumë të vaksinuar me vaksinën e pamerituar”, tha Basha.

Basha u bëri thirrje shqiptarëve që të ruajnë çdo faturë të kurimit të COVID-19 që nuk është rimbursuar nga qeveria, pasi pas 25 prillit, nëse PD merr drejtimin e qeverisë, do ua rimbursojë.

“Është thirrja që të merrni çdo masë për të mbrojtur veten dhe të afërmit tuaj. Do ta bëja këtë thirrje dhe do ta bëj nesër edhe me përgjegjësinë e kryeministrit të vendit, edhe atëherë kur qeveria e nesërme do të braktisë çdo shpenzim tjetër luksi të kotë dhe të gjithë partatë do t’i çojë për të gjithë xhepat që ka zbrazur pandemia”, tha Basha.

Kreu i demokratve theksoi se pandemia mund të menaxhohet duke bërë më shumë testime, pajisja e spitaleve dhe bluzat e bardha me mjete e duhura për të luftuar pandeminë, si dhe mbyllje të pjesshme aty ku kishte më shumë raste.

Klan News